Reportazh nga Elitjona Doko

Pelegrinazhi në Malin e Shenjtë të Tomorrit, në Skrapar, janë ditët më të veçanta për besimtarët bektashinj (është një urdhër i rëndësishëm i fesë islame, tarikat islamik Sufi dhe bashkësi e madhe fetare në Shqipëri). Tarikati Bektashi mendohet të jetë themeluar në Anadoll nga Haxhi Bektash Veliu (turq. Haci Bektas Veli), i cili ka jetuar në shekullin XIII. Me zgjerimin e Perandorisë Osmane, ai u përhap nga Anadolli qendror në Ballkan, në Greqi, në Kretë dhe gjetiu, ku bektashinjtë shërbyen si misionarë të fesë islame dhe kapelanë të jeniçerëve. Për historinë e hershme të bektashinjve në Shqipëri dihet pak, ndonëse mund të hamendësohet se ata janë themeluar mirë këtu nga fundi i shekullit XVI deri në mesin e shekullit XVII).  Edhe këtë vit, sipari i festës fetare u hap në datën 20 gusht për të vijuar për 5 ditë me radhë, deri më datë 25. Mijëra besimtarë bektashian, por jo vetëm, ngjiten në Malin e Tomorrit, deri në vendin e njohur si Cuka e Abaz Aliut (2416m mbi nivelin e detit), për të kryer ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi dhe paqe në familjen e tij.

Simboli i kësaj feste është kurbani, sipas mitologjisë, qengji është simboli i mirësisë dhe urtësisë (prandaj shpesh në këto anë thuhet që Zoti “merr” të mirin (qengjin) jo dhinë). E ndërsa nisim rrugën për t’u ngjitur në drejtim të malit “plak”, të kaplon një hije trishtimi që sikur të “venit” forcën e besimit me të cilën je drejtuar për në këtë festë. Nëse ngjitjen e bën nga Novaj (Poliçan) janë vetëm 19 km rrugë që së pari nevojitet makinë e lartë dhe së dyti shumë kujdes, pasi jo pak raste janë shënuar aksidente me pasojë vdekje, nga degradimi total i këtij aksi në të gjithë gjatësinë e tij. Nga ky aks ngjitja bëhet për më shumë se një orë, ndërsa rreziku është evident në të gjithë këtë ecejake të vështirë malore. Një tjetër opsion i ngjitjes për në Malin e Tomorrit është dhe aksi Çorovodë-Gjerbës dhe më pas në Teqe, që e vetmja gjë që është ndërhyrë është zgjerimi i saj tek-tuk, dhe sistemimi i pjesshëm më çakull. Nevojitet po ashtu mjet i përshtatshëm për ngjitje dhe rreth 2 orë kohë dhe kujdes i madh. E ndërsa mbërrijmë në Teqe, shohim se shpirti i të bërit biznes dhe më ritet e shenjta, ka prekur edhe vendin e shenjtë të bektashinjve! Ata pak banorë të zonës që jetojnë ende në fshatrat përreth Tomorrit, shprehen se festa ka humbur identitetin e saj të mëparshëm:

“Kam mbi 20 vjet që vij çdo vit në këtë vend të shenjtë dhe shoh se festa është kthyer në biznes fitimprurës. Familjarisht apo farefisnisht organizoheshim për ditët e shenjta të Tomorrit, shënjonim qengjin që në  fillim të vitit dhe e ushqenim veçan nga të tjerët, si kurban! Pastaj niseshim në këmbë, me kuaj apo kafshë të tjera, duke sakrifikuar nëpër vapë, që Abaz Ali të na i pranonte dhe besimi ishte edhe më i madh. Kur vinim këtu, në këtë vend që ju shihni sot të mbuluar nga lokalet, që kanë zaptuar dhe ujin e pijshëm, e thernim vetë kurbanin, dhe e piqnim po vetë, duke i siguruar drutë po vetë. Tani s’të lë njeri që të pish ujë, se i kanë tharë burimet që ta blejmë ujin tek ta, drutë s’të lë njeri të presësh se është bërë biznesi që e pjek me 20 mijë lekë (të vjetër) dhe e gjithë kjo që shihni sot i ngjan një “pazari” dhe biznesi”, shprehet i irrituar, F. Cirongu, banor i një fshatit të zonës së Tomorricës (Skrapar).

E “venitja” e besimit vihet re dhe në përdorimin e alkoolit nga pelegrinët gjatë atyre ditëve, gjë që më parë ishte e “ndaluar” nëpërmjet fjalës. Pasi mbarojmë bashkëbisedimin me banorin e zonës, marrim rrugën nga Teqeja në drejtim të Cukës së “Abaz Aliut”, që gjithashtu është në gjendje të mjeruar. Rreth rrugës vë re nxjerrjen e pllakave të mermerit nga firmat private, por askush nuk bëhet mbarë të vërë dorë për rregullimin dhe sistemimin e këtij aksi, që përveç qetësisë shpirtërore të besimtarëve është gjithashtu fitmiprurës për ata që “menaxhojnë” të ardhurat monetare të vendit të Shenjtë! Ngjitja në këmbë për në Cukë zgjat rreth 1 orë e gjysmë, ndërsa me mjet rreth 20 minuta. Pas kryerjes së riteve të rastit, ndezja e qirinjve, hedhja e lekëve, marrja e pak dheu nga vendi i shenjtë, zbresim sërish poshtë, aty ku kemi zënë vendin për të kaluar natën. Ashtu si ndodh edhe me festat e besimeve të tjera, edhe në pelegrinazhin e përvitshëm të Baba Tomorrit, harmonia fetare vlen për t’u shënuar. Besimtarë të feve të tjera i urojnë bektashinjve festën e Abaz Aliut dhe madje jo pak prej tyre marrin pjesë në pelegrinazh bashkë me ta. Bashkëjetesa fetare është një tipar shumëshekullor i shoqërisë shqiptare. Përveç ndalimit të fesë nga regjimi komunist, vrasjes dhe burgosjes së klerikëve dhe shkatërrimit të qindra kishave, xhamive e teqeve, Shqipëria nuk ka shënuar në historinë e saj asnjë konflikt ndërfetar mes njerëzve, dhe qeveritë janë kujdesur për liritë fetare dhe për të mbrojtur këto vlera tradicionale të popullit shqiptar.

Tomorri, veç emrit të madh mitik, ishte ashtu siç thuhet në Iliadën e Homerit:

.. O Zot, mbret i Dodonave Pellazgjike,

Që banon në ato vende të largëta,

E sundon mbi Dodonën

dimërkeqe,

Këmbëzbathur e

gjumëpërdhese…

Tomorri mbeti ashtu si një mal dimërkeq, këmbëzbathur, e i zbuluar. Por sot, Tomorri, luginat e korijet e tij, kanë një pamje tjetër, madhështore, magjepsëse dhe çudibërëse. Për vite të tëra, dy njerëz i dhanë atij këtë pamje të sotme, me këmbëngulje, me përkushtim e devocion të veçantë, të cilët janë të lidhur pazgjidhshmërisht me malin, me vendin e shenjtë, me Abaz Aliun, Baba Mondi, sot Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, dhe Zalo Qato. Ishte këmbëngulja dhe puna e tyre për vite të tëra që mali i Tomorrit të merrte pamjen e sotme, të një vendi më pelegrinues në botë, ku vijnë nga e gjithë bota, si dikur, për të marrë mirësinë e tij, bekimin e Abaz Aliut, bekimin e Baba Tomorrit. Vendi dhe korijet mbushen me çadra, me mjaft mjedise infrastrukturore të tjera, duke mos munguar asgjë, edhe pse fushimi është në një lartësi prej 2417 m. Qyteza ka bukurinë e saj me një pamje mahnitëse. Një fushim gjigand që të krijon pamjen e një fushimi ushtrie të madhe, por në këtë rast është një pelegrinazh i madh që shkon në mbi 250 mijë vetë që vijnë për të bërë ritet dhe zakonet e malit, për të jetuar pranë shpateve të tij, për të rikujtuar ardhjen e Shenjtorit të madh botëror, Abaz Aliut.

“Abaz Aliu zu Tomorrë

Dhe erdhi afër nesh

Shqipëria s’mbet e gjorë

Se Zoti e desh” (Naim Frashëri)

Erdhi këtu, siç shkruan historia, në atdheun e Dodonës pellazgjike, ne Tomorr, ku jetonin Perënditë, pasi në Qerbela po zhvillohej lufta kundër Jezitit të Mavijes, diktaturës më famëkeqe të kohës. Erdhi me foshnjat për t’i mëkuar ato me ujë, pasi kombi faqezi – siç thotë Naim Frashëri – i kishte rrethuar luftëtarët e Qerbelasë, u kishte prerë ujin, që ata të dorëzoheshin dhe të linin luftën e tyre për liri, demokraci e emancipim.

“Ç’është ai që shkon kaluar

Ikën si veriu

Me dy-tri foshnja në duar

Është Abaz Aliu“ (Naim Frashëri)

Ahengu gjëmon zonën, me këngëtarë si Ylli Baka, Fule Malindi etj, që janë tepër të dashur në këto anë, zgjat deri në mëngjes. Si rregull, nevohitet të shkosh 3 vite me rradhë,  sipas besimtarëve bektashianë, për të pasur mbarësi në familje dhe me çka dëshiron për mbarësi.Njerëzit besojnë se mbarësia e familjeve të tyre shtohet me këto vizita të vazhdueshme në malin e shenjtë të Tomorrit, dhe duke marrë prej tij si suvenir copa gurësh, dheu dhe shenja të kurbanëve për t’i ruajtur në shtëpi. Sapo zbardh dita, rinisim rrugëne  kthimit, me shpresën e madhe se dikush do kujtohet që këtë rrugë ta rregullojë njëherë e përgjithmonë, duke e bërë të shfrytëzueshme jo vetëm për ditët e shenjta të festës së Kulmakut, por edhe për adhuruesi e turizmit malor, që është kthyer ndër mëtë preferuarit vitet e fundit në vendin tonë. Kthehemi me shpresën së diçka do bëhet për vendin e Shenjtë të Fronit të Perëndive…