Pavarësisht se është një nga shkaqet kryesore të infertilitetit, që shkakton një gamë të gjerë dhimbjesh dhe simptoma të tjera në shumë gra, endometrioza është ende një problem që nuk kuptohet në fazat e para, madje as nga mjekët. Kjo sëmundje ka shkaktuar debate të shumta në shtyp kohëve të fundit, për shkak të dëshmive të dhëna nga personazhet publike si Lena Dunham, Padma Lakshmi etj. Sipas dëshmive, çdo grua e moshës riprodhuese, pavarësisht nëse është riprodhuar ose jo, mund të preket nga endometrioza.

Endometrioza është një gjendje ku qelizat që gjenden zakonisht në mitër, fillojnë të rriten e të zhvillohen në vende të tjera. Qelizat që gjenden në pjesën e brendshme të mitrës, të quajtur indi endometrial, nganjëherë mund të zhvillohen edhe në vende të cilat nuk mendohet të ndodhë. Ky ind i zhvendosur shkakton irritim dhe zhvillim të indeve të dala jashtë mitrës, të cilat mund të çojnë në një mori të tërë komplikacionesh në varësi të gjendjes që ndodheni. Zakonisht, indi endometrial duhet të rritet në vezore, pas mitrës ose në tubat fallopiane.

“Edhe pse së shumti shfaqet në organet riprodhuese, endometrioza mund të gjendet dhe në organe të tjera të trupit, duke përfshirë gjoksin, mushkëritë, zorrët, kockat, fshikëzën, tëmthin, shpretkën e mëlçinë” thotë Alexander Chiang, mjek profesor në departamentin e obstetrikës dhe gjinekologjisë në shkollën mjekësore “Geffen”. Ai shton se këto raste janë shumë të rralla, por ndodhin dhe janë shumë të vështira për t’u kuptuar.

Një nga komplikimet më të mëdha të endometriozës është infertiliteti
Rreth 50% e grave që kanë vuajtur nga kjo sëmundje e kanë pasur të pamundur për të ngelur shtatzënë. Megjithëse endometrioza mund të shkaktojë infertilitet, me trajtime mjekësore dhe nën vëzhgimin e vazhdueshëm të mjekut mund të rriten shanset për të mbetur shtatzënë.

“Kjo gjendje mund të tejkalohet me teknika riprodhuese të asistuara, me anë të kirurgjisë, medikamenteve apo fertilizimit in vitro”­ shpjegon dr Chiang. Në varësi të rastit, mjeku mund të vendosë heqjen e indeve të zhvendosura.

Endometrioza është e lidhur edhe me një rrezik të lartë të kancerit ovarian. Ekzistojnë gjithashtu lidhje midis endometriozës dhe kancerit endometrial sidomos pas moshës 45 vjeç.

Simptomat dhe shenjat e endometriozës:
Mensturacione të dhimbshme, dhimbjet mund të nisin para ardhjes së ciklit dhe mund të zgjasin deri në disa ditë pas ciklit.
Dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale apo edhe pas tyre.
Hemoragji e shtuar gjatë ciklit menstrual.
Dhimbje gjatë lëvizjeve të zorrëve.
Dhimbje kur urinoni.
Infertilitet.
Lodhje, diarre, të përziera, fryrje të barkut , zakonisht gjatë periudhës së menstruacioneve.

Faktorët kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e kësaj sëmundje:
Historia familjare ( nëse nëna, motra, tezja kanë qenë të prekura nga kjo sëmundje)
Gjendjet mjekësore që pengojnë rrjedhjen normale të fluksit menstrual
Cikël menstrual më i shkurtër se 27 ditë dhe kohëzgjatja e periodave mbi 8 ditë
Infeksionet pelvike të kaluara. /Gazeta Shendeti/