Mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja nga sekuestrimi i rreth 1 ton marijuanë.

Sipas “La Repubblica”, lënda narkotike vinte nga Shqipëria do të shërbente për të furnizuar jetën e natës në zonën e Pulias.

Hetimet e Guardia di Financa janë fokusuar në  lidhjet mes krimit shqiptar dhe atij italian. Gjatë aksionit policor u arrestuan pesë persona, ku tre shqiptarë u kapën duke ngarkuar drogën, ndërsa dy ukrainas ndodheshin në bordin e skafit që u kap në brigjet e Leces.

Sipas asaj që doli në këtë fazë të parë hetimore, nuk përjashtohet mundësia që droga e sekuestruar të përdorej për furnizimin e shesheve puliane, veçanërisht për jetën e natës në resortet turistike. Hetimet do të vazhdojnë edhe falë telefonave të gjetur në skaf.

Sipas medias italiane, tre skafet që drejtoheshin nga vlonjatët Arbër Saraseli, Saverjo Imeraj dhe Qemal Pekmezi kanë qenë gjatë gjithë kohës në ruajtje nga ajri nëpërmjet helikopterit, teksa dy prej tyre u kapën në det në momentin e shkëmbimit, ndërsa skafi i tretë u gjet në portin e Triportit.