Në vitin 2024, Shqipëria regjistroi rekord në numrin e të huajve që vizituan vendin, me 11.7 milionë turistë të huaj që e zgjodhën Shqipërinë si destinacionin e tyre. Kjo shënoi një rritje prej 15.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Ndryshe nga perceptimi tradicional se sezoni veror tërheq numrin më të madh të vizitorëve, të dhënat tregojnë se turizmi në Shqipëri është zhvilluar gjatë gjithë muajve të vitit. 6-mujori i parë i vitit 2024 shërbeu si një tregues i qartë për një sezon të suksesshëm turistik në muajt në vijim.

Analiza mujore lidhur me hyrjet e të huajve në Shqipëri tregon se turizmi ka qenë i qëndrueshëm në të gjitha stinët, por disa  muaj spikasin me rritje të jashtëzakonshme. Konkretisht muaji shkurt 2024 regjistroi një rritje  prej 55.4% krahasuar me shkurtin 2023. Kjo rritje është veçanërisht e rëndësishme, duke pasur parasysh që ky muaj dimëror zakonisht konsiderohet jashtë sezonit të pikut.

Më pas ndjekin muajt mars, prill dhe maj me një rritje që varion  nga 29% në 47%. Nga ana tjetër, muaji gusht vazhdon të jetë kulmi i sezonit turistik, me 2.1 milionë hyrje ose 7.2% krahasuar me gushtin 2023.

Ndërsa, në dhjetor rezultojnë të kenë vizituar Shqipërinë rreth që kanë hyrë në 655 mijë të huaj. 97 % e hyrjeve të shtetasve të huaj janë nga rajoni i Europës. Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar , në 97 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për pushime, vizitë tek të afërmit etj.

Në një analizë më të detajuar të hyrjeve të shtetasve të huaj sipas shteteve të origjinës rezulton se gjatë 12-mujorit të vitit 2024, vendet fqinje kanë qenë burimi kryesor i turistëve në Shqipëri. Kosova qëndron bindshëm në krye të listës, me 4, 4 milionë hyrje. Më pas renditet Italia, me 1,2 milionë  vizitorë, dhe Maqedonia e Veriut, me 899 mijë.

Mali i Zi dhe Greqia, janë shtete që kanë kontribuar ndjeshëm në fluksin turistik.  Megjithatë, një numër i konsiderueshëm turistësh ka ardhur edhe  nga vende më të largëta, duke përfshirë Gjermaninë Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe Francën.