Nga Dr. Bledar Kurti

“Të largosh me votë një qeverisje të keqe është demokraci,” ka thënë filozofi Karl Popper.

Demokracia e munguar në Shqipëri gjatë viteve të fundit mund të ndërtohet me votë. Në kushtet e mjerueshme në të cilat gjendet vendi, 25 prilli nuk është thjesht zgjedhje por zgjidhje. Është zgjidhja e vetme për t’u mos larguar nga ky vend; për të frenuar shpopullimin; për të krijuar mundësi dhe kushte për rininë tonë t’a ndërtojë këtu të ardhmen e saj; për të dalë nga mjerimi dhe papunësia; për të jetuar me dinjitet në një vend që meriton tē jetë në krah të vendeve evropiane dhe jo jashtë optikës së BE.

25 prilli është zgjidhje për Shqipërinë. Vota e çdo shqiptari do jetë një akt patriotik për vendin por edhe akti i duhur për familjet tona, për të ardhmen tonë.

Kjo është qeverisja e vetme në 30 vite që ka drejtuar gishtin për të fajësuar dhe tallur popullin e vet. Bluzat e bardha i quajti bluza të zeza; median kazan; shqiptarët jo-profesionistë për vendet e lira imagjinare të punës; gjyqtarët dhe prokurorët djaj; pedagogët si shtresë e ulët; madje edhe heronjtë e atdheut i talli. 

E vetmja qeveri e cila në vend që ta çonte vendin në BE e çoi në BEograd. 

Për shkak të kësaj filozofie autoritariste, arrogante dhe me përbuzje të madhe ndaj qytetarëve, elitave dhe institucioneve, Shqipëria ka sot një parti-shtet sektar që kontrollon 90% të gjithë pushtetit qendror e vendor.

Partia-shtet ka thyer balancën e pushtetit, trias politica, dhe kontrollon të tri degët e qeverisjes, ekzekutivin, legjislativin, gjyqësorin, përfshirë edhe pushtetin e katërt të medias.

Partia-shtet kontrollon 61 nga 61 bashki të vendit, dhe 100% të këshillave bashkiakë, një marrëzi autoritare e denocnuar kjo shumë ashpër nga Këshilli i Evropës, OSBE/ODIHR, dhe institucionet më të rëndësishme evropiane dhe më gjerë.

Parlamenti një-partiak është ilegjitim dhe anti-kushtetues në kundërshtim me Neni 64/1 i Kushtetutës i cili thotë: “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë.” Dhe përveçse të qënit ilegjitim është edhe më i turpshmi dhe qesharaku në historinë e parlamentarizmit shqiptar.

Ky sekt e asgjesoi opozitarizmin në Parlament vetëm përmes një akti administrativ me firmë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, në shkelje të Kushtetutës, Kodit Zgjedhor, dhe Rregullores së Kuvendit.

Ky sekt ka qenë pengesa dhe sabotuesja e zbatimit të pavarur e dinjitoz të reformës në drejtësi duke e lënë vendin qëllimisht tre vite pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të lartë, duke krijuar kështu një mal prej 40,000 dosjesh të cilat duhen 30 vite të shqyrtohen, e duke caktuar në krye të të gjitha institucioneve të reja të drejtësisë, në kundërshtim me ligjin, njerëz të afërm dhe familjarë me sektin-shtet dhe qeverinë.

Ajo qëllimisht vonoi ngritjen e institucioneve të drejtësisë në mënyrë që të mos kishte sistem llogaridhënie për të gjitha shkeljet e saj, ligjet antikushtetuese, dhe PPP-të qindra miliona euro.

Megaskandalet e kësaj qeverisje kanë arritur shifrat prej miliarda eurosh.

Koncensionet në çdo sektor të vendit dhe skandali mbi Dividentin kanë dëmtuar rëndë taksapaguesit shqiptarë, bizneset e ndershme, dhe kanë fuqizuar një grup të vogël oligarkësh pranë qeverisë.

Qeveria miraroi një ligj me efekt prapaveprues, në kundërshtim me Kushtetutën.

Borxhi publik, 59% në vitin 2013 ka arritur në 86%. 

Të gjithë indikatorët, raportet dhe vlerësimet e organizatave më prestigjoze e rendisin Shqipërinë si vendi më i korruptuar në rajon. Ku korrupsioni shtrihet në të gjitha nivelet qeveritare.

Për shkak të korrupsionit të lartë klima e biznesit është e pafavorshme për zhvillimin e ekonomisë dhe investimet e huaja. 

Shqipëria ndodhet në vendin e 82-të për klimën e biznesit ndërkohë që Maqedonia e Veriut e 17-ta dhe Kosova e 57-ta. 

Ndaj edhe ka patur zero investime të reja huaja në Shqipëri.

Shqipëria kryeson në kontinent për pastrimin e parave.

Ripas raporteve ndërkombëtare Shqipëria kryeson si vend i trafikut të drogës.

Për shkak të papunësisë dhe varfërisë, shqiptarët po largohen dita-ditës dhe vendi po shpopullohet në shifra alarmante. 400 mijë shqiptarë janë larguan në 4 vitet e vundit. Përqindja më e madhe vetëm në vitin e fundit dhe pjesa më e madhe janë të rinj.

Rinia po largohet dhe sistemi universitar është pranë falimentit. Janë mbyllur me dhjetra degë studimore në universitetet e vendit dhe në shkollat fillore po zbrazen klasat e nxënësve. 

Shtresa e mesme është asgjesuar pasi nuk arrin dot as të ushqehet ndërkohë në Kosovë pagat e mësuesve, pedagogëve, mjekëve, infermierëve dhe administratës publike janë dyfish më të larta se në Shqipëri.

Dhe në një vend ku nuk ka shtresë të mesme nuk ka demokraci. 

40% e shqiptarëve jetojnë me 4 dollarë në ditë. Ky është mjerim. 

Si në çdo aspekt tjetër, kjo qeverisje dështoi me rindërtimin dhe menaxhimin e pandemisë. Jo vetëm ka lënë me mijëra familje të pastreha të kalojnë dimrin e dytë në çadra e kontenierë por edhe e përdori fatkeqësinë në përfitime financiare për oligarkët. Përdori pandeminë për të prishur Teatrin Kombëtar dhe firmosur tendera qindra milionë eurosh dhe kreu një sërë aferash për përfitimet e veta që e kanë çuar në greminë vendin dhe shtuan mjerimin e shqiptarëve, duke u privuar teste dhe përkujdesjen shëndetësore.

Liria e shprehjes dhe e medias sot është më e cënuar se kurrë. Gazetarë janë ndalur dhe shoqëruar në komisariate në mënyrë të dhunshme. Ky autoriatarizëm ka alarmuar të gjitha institucionet ndërkombëtare. 

Çdo vit të kësaj qeverisje, kushtet e Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE janë shtuar, nga 5 në vitin 2014 në më shumë se 9 në 2019 dhe 15 në vitin 2020.

Vendi gjendet në situatën më të rëndë politike, ekonomike, kushtetuese, dhe të përfaqësimit në 30 vitet e fundit.

Në çdo frymëmarrje të saj kjo qeveri i shton borxhet qytetarëve, u shuan edhe më shumë shpresën, i detyron të largohen dhe është qartësisht pengesë për integrimin evropian të vendit.

Në këto kushte, çdo ditë që kalon me këtë qeverisje është një ditë e humbur për të ardhmen e vendit.

Kjo qeveri vazhdon propagandën e premtimeve boshe por ajo nuk mundet e as që do të luftojë apo ndryshojë atë që ka shkaktuar vetë.

Si shkaktare e kësaj situate tragjike ajo nuk mund të jetë dot zgjidhje.

Zgjidhja e vetme është 25 prilli dhe ata që do ta sjellin atë janë vetë shqiptarët përmes votës.