Me rastin e 77-vjetorit të çlirimit të vendit, autoritetet vendore e qendrore në Durrës si dhe përfaqësues nga Shoqata e Veteranëve kryen homazhe duke vendosur kurora me lule në Mauzoleumin e Dëshmorëve.

Të gjithë të pranishmit parakaluan përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit, që dhanë jetën e tyre për lirinë e qytetit dhe të Shqipërisë.

Me rastin e kësaj date të rëndësishme kombëtare u zbulua edhe pllakata me emrin e Dëshmorit të Atdheut Jorgji Ziu, pasi në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Durrës u miratua propozimi i bërë nga shoqata e veteranëve, që sheshi para Mauzoleumit të Dëshmorëve të mbajë emrin e tij.

Përfaqësuesi i familjes Ziu falenderoi bashkinë Durrës për gjestin e madh që bëri për njohjen e kontributit të të riut, emrin e të cilit merr ky shesh i vogël, por me rëndësi të madhe.

Ndërsa kryetari i shoqatës së veteranëve, Edmond Agolli u shpreh: “Eshtë një rast i veçantë edhe për Organizatën e Dëshmorëve të Atdheut, që iu vu emri “Jorgji Ziu” këtij sheshi. Dua të falenderoj kryetaren e bashkisë, prefektin dhe shumë njerëz të tjerë që kanë kontribuuar në realizimin e kësaj nisme”.

Në ceremoni mungonte kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e cila po merr pjesë në samitin e kryetarëve të bashkive të rajonit të Ballkanit, që po mbahet në Stamboll, Turqi.