Në kuadër të 29 Nëntorit, kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako ka uruar 77-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazistë të Luftës së Dytë Botërore.

Përmes një postimi në “Facebook”, Sako shkruan se “Durrësi dhe e gjithë Shqipëria kujton dhe nderon sot heronjtë dhe dëshmorët që e deshën aq shumë këtë vend sa dhanë jetën e tyre për të”.

Gjithashtu Kryebashkiakja thotë se kemi obligim trashëgiminë e vlerave patriotike, shoqërore, historike të asaj epoke të lavdishme dhe të përmbushim ëndrrën e dëshmorëve për një Shqipëri evropiane.

Kujtojmë se Durrësi është në qendër të historisë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore sepse ishte pikërisht qyteti ku filloi historia e luftës nacionalçlirimtare në 7 prill 1939 dhe ku u dëgjuan krismat e para antifashiste në Evropë. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Pikërisht në 7 prill në Durrës ranë dëshmorët e parë siç ishte heroi i popullit Mujo Ulqinaku dhe bashkëluftëtarë të tij të flijuar në mbrojtje të trojeve tona.

Statusi i plotë i Sakos:

Durrësi dhe e gjithë Shqipëria kujton dhe nderon sot heronjtë dhe dëshmorët që e deshën aq shumë këtë vend sa dhanë jetën e tyre për të, i përjetshëm qoftë kujtimi i tyre.

🙏🏻Kjo ditë, teksa na fton të gjithëve si qytetarë të shprehim mirënjohjen dhe nderimin, na obligon si brez t’i trashëgojmë më së miri vlerat patriotike, shoqërore, historike të asaj epoke të lavdishme dhe njëkohësisht të gjithë neve, në kohët e sotme, na vë përpara përgjegjësive të shumta, ndër më kryesorja ajo që ka të bëjë me përmbushjen e ëndrrës së të rënëve; një Shqipëri evropiane.