Përmes një publikimi në rrjetet e tij sociale, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani ka reaguar në përvjetorin e tretë të agresionit rus në Ukrainë.
“Në përvjetorin e tretë të agresionit të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, Shqipëria riafirmon mbështetjen e saj të palëkundur për integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, në linjë me qëndrimin e NATO-s dhe Bashkimit Evropian”- nënvizon ministri Hasani.
Ai shprehet se Shqipëria e dënon fuqishëm këtë shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe nderon qëndrueshmërinë e popullit ukrainas.
“Çdo përpjekje duhet të bëhet për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme – për Ukrainën, popullin e saj, dhe sigurinë e Evropës dhe të botës”, shton ndër të tjera Hasani në reagimin e tij.