Ka nisur prezantimi i draftit për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, me fokus forcimin e garancive për të drejtat e të pandehurve. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se ndryshimet synojnë të forcojnë prezumimin e pafajësisë dhe të kufizojnë përdorimin e paraburgimit.
Sipas tij, rreth gjashtë në 10 të paraburgosur në Shqipëri nuk kanë ende një vendim të formës së prerë. Drafti parashikon detyrimin e prokurorit për të dokumentuar dhe vënë në dispozicion edhe provat në favor të të pandehurit. Ndërkohë, mbrojtjes i jepet e drejta për të hetuar dhe hetimi pritet të ketë një fillim dhe objekt të përcaktuar qartë.
“Sipas të dhënave të Këshillit të Europës në vitin 2024 thuajse gjashtë në çdo 10 të paraburgosur në institucionet tona të ekzekutimit të vendimeve penale ende nuk kishin marrë një vendim të formës prerë. Pra gjashtë nga 10 të burgosur ende nuk ishin dënuar përfundimisht dhe raporti i Shqipërisë është më i larti ndaj të gjitha vendeve të përfshira në këtë krahasim, në këtë studim që bën Këshilli i Europës. Ndërkohë që disa vende të rajonit gjenden komplet në krahun e kundërt të renditjes dhe sipas dokumentit udhëzues të ekspertëve të Këshillit të Europës, paraburgimi në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm zgjaste mesatarisht 253 ditë, ndërsa në ato të posaçëm 616 ditë. Por kjo nuk do të thotë se çdo paraburgim është i gabuar”, tha Toni Gogu.
Ndryshimet prekin edhe sekuestrimin e celularëve, duke parashikuar që qasja në të dhënat personale të kufizohet nga vendimi i gjykatës.
Gogu theksoi gjithashtu se institucionet nuk duhet ta paraqesin një të dyshuar si fajtor përpara vendimit gjyqësor. Reforma, sipas tij, synon të balancojë mbrojtjen e të drejtave të palëve me nevojën për hetime efektive, duke marrë në konsideratë edhe të drejtat e viktimave.
“Paraburgimi është pjesa më e dukshme e kësaj reforme, por jo e vetmja. Në pjesë e këtyre garancive ekzistojnë tashmë, por projekti synon t’i qartësojë dhe t’i bëjë lehtësisht më të zbatueshme, më të përdorshme për palët në proces dhe ne propozojmë që prokurori ta ketë detyrimin të dokumentojë dhe të vërë në dispozicion edhe provat në favor të të pandehurit, ndërsa mbrojtjes t’i njihet e drejta për të hetuar.
Hetimi tanimë do të ketë një fillim formal sipas propozimeve dhe një objekt të përcaktuar. Sekuestrimi i telefoni personal nuk do të japë më të drejtën për qasje të pakufizuar në të dhënat vetjake, por vetëm në pjesën që miraton gjykata dhe instancat publike nuk do mund të paraqesin të dyshuarin si fajtor përpara se të jetë shprehur gjykata. Pra, prezumimi i pafajësisë duhet të mbrohet njëlloj si e drejta e publikut për t’u informuar dhe funksionimi i lirë i shtypit dhe këto rregulla janë të njëjta, për këdo që është duke u përballur me drejtësinë, qytetari i zakonshëm apo zyrtari.
Këtë tekst e ka ndikuar drejtpërsëdrejti ekspertiza europiane dhe gjatë konsultimit do të shqyrtojmë me shumë kujdes çdo propozim që synon mbrojtjen e të drejtave të palëve, por dhe aftësinë e institucioneve për hetime të efektshme. Kjo reformë nuk e harron as viktimën”, shtoi ministri i Drejtësisë.





