Kryeministri i vendit, Edi Rama foli për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, ndërsa tha se për veprat me dënim nën 5 vite nuk do të ketë më arrest me burg. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se gjykata duhet të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme.
Sipas tij, as heshtja e personit dhe as mospranimi i akuzës nuk do të përdoren më si provë rrezikshmërie. Ai tha se gjykata duhet të bëjë vlerësimin e pavarur, pasi nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit. Në fund, ai tha se prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato.
Edi Rama: Procesi penal duhet të nisë nga zona e lirisë dhe jo nga burgu si zanafillë. Gjykata duhet të nisë nga liria, të shqyrtojë masat më të buta, të vlerësojë arrestin në shtëpi dhe të arrijë te burgu vetëm kur çdo alternativë tjetër është e pamjaftueshme. Për veprat me dënim maksimal nën 5 vjet, nuk do të caktohet më arrest me burg. As heshtja e personit, as mospranimi i akuzës s’do të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret. Gjykata duhet të bëjë vlerësimin e pavarur dhe, nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm dhe lind përgjegjësia disiplinore e gjykatësit. Sa herë caktohet arrestimi, gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore. Prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës vazhdojnë të ekzistojnë dhe t’i argumentojë ato.





