Tregtia me vendet e huaja është rritur me 13% në muajin qershor. Në vlerë, vendi ynë ka përfituar nga eksportet, 35,4 mld lekë.
Eksportet shqiptare shënuan një përshpejtim më të fortë në muajin qershor, të mbështetura kryesisht nga karburantet, metalet dhe makineritë. Megjithatë, edhe importet u zgjeruan ndjeshëm, duke e mbajtur deficitin tregtar 6.1% mbi nivelin e një viti më parë, ndërsa tekstilet dhe këpucët vijuan të japin kontribut negativ.
Sipas të dhënave të INSTAT, në qershor 2026 eksportet arritën në 35.4 miliardë lekë, duke u rritur me 13.6% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë dhe me 8.3% në raport me majin. Importet u ngjitën në 83.5 miliardë lekë, me një zgjerim vjetor prej 9.1%, ndërsa deficiti tregtar arriti në 48 miliardë lekë, 6.1% më i lartë se në qershorin e kaluar.
Kontributin më të madh pozitiv në eksporte e dha grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”, me 5.7 pikë përqindje. Pas tij u renditën materialet e ndërtimit dhe metalet me 3.6 pikë përqindje, si edhe makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit me 3.3 pikë përqindje.
Në të kundërt, tekstilet dhe këpucët vijuan të ndikojnë negativisht në ecurinë e eksporteve, megjithëse me një efekt më të kufizuar se në muajin maj. Kjo dëshmon se industria fason vazhdon të përballet me vështirësi. Presioni nga kursi i këmbimit mbetet i pranishëm për eksportuesit që sigurojnë të ardhurat në euro, por përballojnë një pjesë të madhe të kostove në lekë.
Nga ana tjetër, lëndët djegëse dhe energjia mbështetën edhe rritjen e importeve, me një kontribut prej 2.3 pikë përqindje. Ushqimet, pijet dhe duhani, si edhe produktet kimike dhe plastike, kontribuuan me nga 2.2 pikë përqindje. Rritja vjen pas muajve me luhatje të forta në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të shkaktuara nga lufta dhe ndërprerjet e furnizimit në Lindjen e Mesme.





