Më 10 korrik zhvillohet në shëtitoren Taulantia kampionati i basketbollit 3×3 i cili ka për qëllim primar promovimin e sportit në qytetin e Durrësit.

Pas 19 muajsh vështirësi në qytetin bregdetar duke filluar me tërmetin në nëntorit 2019 dhe duke vazhduar me pandeminë që ende nuk është larguar, ky event do japë shumë gjallëri dhe frymarrje në shëtitoren e re që sapo është përfunduar.

Muzikë, sport, argëtim e gjitha në një ambjent të hapur vetëm 20 metra larg detit dhe 500 metra larg Portit të Durrësit, me 12 ekipe që do marrin pjesë nga Kosova dhe nga Shqipëria. Do të jenë 8 orë të pasdites të mbushura me rininë e qytetit të Durrësit.

Pozicionimi i këtij eventi në shëtitoren kryesore të Durrësit aty ku banorët dhe turistët dëshirojnë të kalojnë xhiron e pasdites, është pikërisht për të mbështetur dhe turizmin duke uruar që ky sezon turistik do jetë i mbushur me turistë, dhe aktivitetet e qytetit të mos mungojnë.

Ky aktivitet sportiv dhe artistik do zgjojë dëshirën e shumë personave për tu bërë pjesë, dhe për tu përfshirë në këtë event, qytetarë të Durrësit, turistë dhe vizitorë nga i gjithë vendi.

Ky event i organizuar nga basketbollisti i njohur durrsak, ish lojtar i ekipit kombëtar Marsel Aliaj, është i mbështetur nga FIBA (Federata Ndërkombëtare e Basketbollit) dhe është pjesë e programit “TIME-OUT 2.0”.

Prezantimi i këtij eventi do të bëhet në zyrat qëndrore të FIBA-s në Gjenevë të Zvicrës në Shtator 2021.