Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka nderuar me urdhrin “Mjeshtër i madh” katër personalitete të qytetit të Durrësit, duke vlerësuar kështu maksimalisht kontributin e dhënë prej tyre në fushat përkatëse. Gjergj Vlashi, Lufti Hoxha, Ramazan Njala dhe Kristo Sotiri janë figura që i kanë dhënë shumë qytetit bregdetar duke fituar respektin e të gjithë bashkëqytetarëve të tyre. Vlen të përmendet fakti se Ramazan Njalës, artistit dhe sportistit të njohur durrsak dhe Kristo Sotirit, arkitektit vulën e të cilit mbajnë shumë godina dhe objekte të ndryshme si vila e mbretit Zog, shatërvani, bashkia etj., Urdhri “Mjeshtër i madh” iu akordua pas vdekjes. Ceremonia e nderimit të këtyre figurave të shquara ishte planifikuar të zhvillohej në datë 22 maj, por për shkak të tragjedisë së Himarës dhe zisë kombëtare koncerti që do të organizohej me këtë rast u anullua. Kështu, rreth një muaj më vonë, ceremonia u zhvendos në presidencë. Në fjalën e rastit, presidenti Topi vlerësoi kontributin e madh që këto personalitete kanë dhënë për qytetin e tyre dhe jo vetëm. Në të njëjtën kohë kreu i shtetit nënvizoi se cilësitë e larta qytetare që kanë treguar përgjatë gjithë karrierës së tyre i kanë dhënë një vend nderi në historinë e qytetit të Durrësit, të cilin e kanë përfaqësuar shumë denjësisht. Në ceremoninë e zhvilluar në presidencë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shoqatës “Durrësi” si dhe deputeti durrsak Gazmend Oketa.



 

 

Lutfi Hoxha– “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm dhe shumëvjeçar në zhvillimin e jetës artistike të Durrësit e të gjithë vendit, si një ndër themeluesit e teatrit profesionist “Aleksandër Moisiu”, i cili realizoi me mjeshtëri shumë role në teatër e kinema”

 

Gjergj Vlashi – “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e jetës kulturore e artistike të qytetit të Durrësit, e të gjithë vendit, si regjisor i shquar i estradës dhe si shkrimtar e përkthyes i mirënjohur”

 

Kristo Sotiri– (Pas vdekjes)“Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Veprimtarit të Lëvizjes Kombëtare për krijimin e shtetit shqiptar, arkitektit të talentuar që me veprat e çmuara që krijoi, vuri një gur themeli të rëndësishëm në zhvillimin e arkitekturës dhe urbanistikës shqiptare”. 

 

Ramazan Njala– (Pas vdekjes)“Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Për kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e jetës kulturore, artistike e sportive të qytetit të Durrësit e të gjithë vendit si sportist i shquar dhe artist me krijimtari të çmuar”. 



 

Gjergj Vlashi

Artisti i Popullit Gjergj Vlashi u lind më 13 korrik të vitit 1928, në Durrës. Regjizori i njohur është një nga personat që ka dhënë një kontribut të madh dhjetëra vjeçar në formimin dhe zhvillimin e teatrit të qytetit, që është në prag të 60-vjetorit të krijimit. Që nga fundi i viteve 1950 ka vënë në skenë mbi 100 premiera të varietesë me trupa të ndryshme të vendit, të cilat janë nderuar me çmime në aktivitete kombëtare. Krahas shumë pjesëve të shkruara dhe vëna në skenë prej tij, Vlashi ka dhënë një kontribut të vyer në fushën e përkthimeve duke shqipëruar disa nga emrat më të njohur të letërsisë botërore si: Franc Kafka, Hose Saramago, Dino Buxati, Xhejms Olldrixh, Agata Kristi etj. Që nga fillimi i viteve 1990 Vlashi ka botuar 15 libra me përkthime nga gjuhët gjermane, italiane, spanjolle, portugeze, angleze, etj. Vlashi ka sjellë në shqip në tre antologji të tregimit hispanoamerikan, emra të shquar si nobelistët Camillo Hose Sela dhe Huan Himenez si dhe të autorëve të tjerë si: Vincente Blasko Ibanjez, Paolo Coelho apo Ramon Gomes della Serra. Gjergj Vlashi është autor i 19 librave të gjinive të ndryshme, që nga tregimi për fëmijë, deri te novela e romani. Krahas shumë titujve të tjerë ai është nderuar edhe me titullin “Qytetar nderi” i Durrësit. 



 

Lutfi Hoxha

Artisti i merituar, Lufti Hoxha, është një nga themeluesit e teatrit “Aleksandër Moisiu”, të Durrësit. Me më shumë se 50 vite karrierë mbi shpinë, jeta e tij ka qenë e lidhur ngushtë me teatrin, të cilit i dha aq shumë, por në të njëjtën kohë mori vlerësimet dhe duartrokitjet e publikut. Ndër realizimet e tij në skenë ai rendit ndër më të suksesshmet interpretimet e personazheve të Molierit, komediografit të tij të preferuar. Megjithëse jeta e tij ka qenë e lidhur ngushtë me teatrin, i cili siç e ka theksuar edhe vetë në intervista të ndryshme është dashuria e tij e parë, Hoxha paralelisht ka interpretuar edhe në prodhimet e Kinostudios “Shqipëria e re”. "Detyrë e posaçme" prodhim i vitit 1963, është i pari film, ku ka luajtur Lutfi Hoxha, nën regjinë e Kristaq Dhamos. Më pas, Lutfi Hoxha, do interpretonte në filmat: "Thirrja", "Rrugicat që kërkonin diell", "Pylli i lirisë, "Shoku ynë Tili", "Nata e parë e lirisë" etj. Në rolin e babait të Tilit, fëmijës së prapë që nuk lë dy gurë bashkë, ai ka portretizuar një baba të dhimbsur, role të cilat i kanë shkuar përherë për shtat. Megjithëse në moshë të thyer, rreth 73 vjeç ai interpretoi personazhin e Musait, krahas shumë emrave të njohur të kinemasë shqiptare, në filmin e Saimir Kumbaros, “Ne dhe Lenini”.



 

Kristo Sotiri

Arkitekti i njohur durrsak u diplomua në qytetet e Padovës dhe Venecias në Itali. “Pas mëse 11 vjet eksperiencë si arkitekt i oborrit të mbretëreshës Elisabeta Karmen Silva të Rumanisë, ai erdhi në Shqipëri në vitet ‘20 me dëshirën për të kontribuar në vendin e tij me ndërtime klasi si p.sh. në Vilën e Shirokës, në ndërtesën e vjetër të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë etj”,- shkruan në librin e tij “Durrësi… 1900-1939” studiuesi Sali Hidri, duke iu referuar arkitekt Sotirit. Firmën e arkitektit që kishte bërë emër edhe në vendin fqinjë Itali do ta mbanin shumë godina historike të qytetit. Ai ishte projektuesi i ndërtesës së Kalamishëve, i bashkisë së qytetit; aksit kryesor të rrugës në hyrje të qytetit; shumë ndërtimeve prestigjioze në Rrugën Tregtare si dhe Mauzoleut të qytetit. Emri i tij është i lidhur pazgjidhshmërisht me vilën e mbretit Zog, godinën madhështore në Kodër Vilë, të cilën tregtarët durrsakë ia bënë dhuratë mbretit si dhe shatërvanit në qendër të qytetit.Për lidhjen e ngushtë me mbretin Zog ai u njoh edhe si arkitekti i mbretit. Në vitet e pasluftës, në kohën kur projektoi mauzoleumin e dëshmorëve atij iu desh të luftonte me një mentalitet të vjetër, të rrënjosur prej kohësh, sipas të cilit njerëzit mund të varroseshin vetëm në tokë dhe jashtë qytetit.



 

Ramazan Njala

Ramazan Njala lindi në 20 shkurt të vitit 1922, në Durrës. Pasi mbaroi arsimin fillor shkëlqyeshëm mbaroi shkollën qytetëse me profil ekonomik (tregtar). Gjatë viteve të shkollës së mesme, Ramazani tregoi aftësitë e tij sportive duke u aktivizuar me ekipet lokale. Por krahas sportit, Ramazani kishte pasion edhe teatrin dhe së bashku me shokët e tij bënte prova dhe mundohej të realizonte shfaqje teatrale. Gjithnjë, Ramazani krahas punës organizonte ndeshje sportive futbolli, basketbolli, volejbolli ose shfaqje e parodi me këngë të muzikës popullore e të lehtë. Në vitet 1955-1956 ekipi i basketbollit dhe volejbollit i qytetit të Durrësit, ku bënte pjesë dhe Ramazani, shpallet kampion kombëtar dhe i jepet titulli “Mjeshtër Sporti”. Sot pallati i sportit i qytetit tonë mban emrin “Ramazan Njala”. Me kalimin e kohës, Ramazani u detyrua te largohej nga sporti dhe iu rikthye pasionit të tij të dytë, teatrit. Në vitin 1964 Ramazan Njala emërohet aktor i humorit në trupën e teatër-estradës profesioniste “A.Moisiu”. Përveç punës në estradën e Durrësit në të cilën ka realizuar mbi 90 role dhe krijuar e interpretuar rreth 70 kuplete, ai vazhdonte të përgatiste grupet artistike nëpër qendra pune, shkolla, fshatra etj. U nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë më 24 shtator 1982.