Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë 40 ditë burg për gjashtë të arrestuarit në aksionin e përbashkët mes policisë italiane dhe asaj shqiptare, të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar droge.
Prokurori Dritan Marku ka kërkuar masën arrest në burg me afat 40 ditë, deri në mbërritjen e dosjes nga Italia, ku kishin shtrirë aktivitetin e paligjshëm.
Ndërkohë gjatë seancës avokatët e të arrestuarve kanë kërkuar masë sigurie më të lehtë. Gjatë aksionit të përbashkët mes dy shteteve të koduar “Lulet e Pranverës” ranë në pranga 27 persona, ndërsa 7 të tjera janë shpallur në kërkim.
Në total u shkatërruan 4 grupe kriminale, të cilat trafikonin kanabis nga Shqipëria në Itali. Sipas drejtueses së Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela, këto grupe në kohë të ndryshme kanë tentuar të trafikojnë rreth 3.5 tonë kanabis.