FIER,17 nëntor 2013-   Rreth 5 mijë banorë që jetojnë në afërsi të ish-uzinës së Azotikut në Fier rrezikojnë seriozisht nga lëndët helmuese që gjenden të magazinuara aty që prej shumë vitesh. Një ditë pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama, i cili tha se në territorin e vendit tonë janë 31 zona të rrezikshme mbetjesh kimike të trashëguara nga e kaluara, të cilat nuk plasin, por vrasin ngadalë, banorët e kësaj zone pohojnë se ndihen shumë të frikësuar. Ndërkohë, specialistë të fushës bënë me dije se zona i ish-Azotikut në Fier është si një minë me sahat, pasi në ambientet e brendshme të ish-uzinës ndodhet e magazinuar një sasi prej 40 tonësh lëndë kimike të ndryshme. “Godina dykatëshe ku janë të depozituara mbetjet kimike është drejt shkatërrimit të plotë. Kjo godinë është kthyer në një “kurth”, pasi i janë vjedhur dyer dhe dritare e rrezikon të shembet. Në ambientet e ish-uzinës mund të futesh lehtë dhe pa u vënë re nga rojet private, pasi muret rrethuese, të lartë mbi dy metra tashmë janë shembur. Rojet e kanë të pamundur që të ruajnë një sipërfaqe prej 20 ha, ku shtrihet ish-uzina. Lëndët helmuese përbëjnë një kërcënim serioz për jetën tonë dhe të fëmijëve, ndaj duhet të largohen urgjentisht”, u shprehën dje banorët. Mësohet se tonelatat me lëndë kimike rrezikojnë banorët e lagjeve “Drizë” dhe “11 Janari” të qytetit të Fierit si dhe banorët e fshatrave Zhupan e Plyk me një popullsi prej 5 mijë banorësh, por edhe Myzeqenë, pasi pranë saj kalon lumi Gjanica. Sipas inxhinierëve kimistë dhe teknologë, këto helme ose kimikate janë përdorur në industrinë kimike për reaksione të ndryshme për prodhimin e plehrave kimike bujqësore. “Më parë në Azotik punohej me kundragaze, pasi aty kishte helme të tilla si cianur, arsenik etj. Vite më parë u dha urdhër që mbetjet kimike të ambalazhoheshin e të dërgoheshin në një magazinë qendrore në Elbasan. Pas ambalazhimit, ato nuk u transportuan, por ndodhen ende të magazinuara në ish-Azotik. Godina është e amortizuar, pa xhama e me lagështirë. Helmet janë të ambalazhuar në thasë që për shkak të kohës kanë filluar e janë shqyer. Lëngjet helmuese ndodhen në bidonë plastikë 200 kg”, pohuan specialistët. Rreziku shtohet më shumë, pasi banorë të zonës hyjnë në ish-uzinë për mbledhur hekura për skrap, ose disa prej tyre kullotin bagëtitë afër saj. Njëri prej banorëve të zonës, 18-vjeçari Kosta Mestani, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” tregoi dje se si u fut brenda në magazinën e helmeve. 

A e dini që këtu në ish-uzinën e Azotikut ka helme të rrezikshme? 
Po e di. E kam mësuar para disa muajsh. Më thanë rojet private që ruajnë ish-uzinën. 
Mund të na thoni se si u futët brenda ambienteve të ish-uzinës? 
Unë hyra në fushën ku ndodhen godinat e shkatërruara të Azotikut për të marrë hekurishte apo tela bakri, të cilat më pas i shesim për skrap. I marrim dhe i shesim për të siguruar bukën e gojës. Magazina ku desha të hyja unë ishte me derë, por ajo ishte e hapur. Teksa po tentoja të hyja brenda, më kapi roja. Ai më tha: “Çfarë do këtu, mor djalë?! Do që të vdesësh! Nuk e shikon tabelën në mur ‘helme, rrezik vdekje’”. “Nuk e dija”, i thashë rojes së objektit dhe më pas ika me vrap. 
Ju banoni këtu afër. A keni frikë nga lëndët helmuese të Azotikut? 
Unë banoj me familjen time rreth 300 metra larg uzinës. Kemi frikë, por tani që dëgjuam fjalën e kryeministrit Rama kemi më shumë frikë. Ne luanim shpeshherë anës uzinës, por ka edhe banorë të lagjes që ruajnë ndonjë lopë apo tufa me dele. 
A e ndieni aromën lëndëve helmuese? 
Më shumë në verë, pasi është nxehtë, por edhe në ditë dimri kur bie shi apo bën ftohtë dhe del menjëherë dielli. Era e rëndë ndihet gjatë gjithë ditës, por më shumë në mbrëmje.

/ Gazeta Shqiptare /