Prokuroria ka prezantuar sot konkluzionet përfundimtare për rastin e Alda Klosit, pastrueses së saj dhe të birit të kësaj të fundit.

Prokurorja Mirela Zavalani kërkoi sot në Gjykatën Penale që Rozeta Dobi të shpallet fajtore dhe të dënohet me 6 vite burg dhe se të aplikohej gjykimi shkurtuar.

Nga ana tjetër për djalin e saj, prokuroria kërkoi 4 vite burg dhe aplikim të uljes së dënimit me 1/3 dhe në bazë të nenit 59 të dënohet me 3 vite shërbim prove.

Organi i akuzës thekson se është vërtetuar se në datën 15 tetor 2022 nga banesa e Alda Klosit janë vjedhur 462 mijë euro.

Rozeta Dobi dyshohet për vjedhje me pasoja të rënda dhe vjedhje më shumë se një herë, ndërsa djali i saj, Havier Dobi akuzohet për vjedhje me pasoja të rënda.

Sipas News24, prokurorja theksoi se dy makinat që përdorte i riu, janë blerë me paratë e vjedhura, me vlerën rreth 300 mijë lekë të reja.

Sakaq, prokuroria kërkoi që dy automjetet të kalojnë në favor të shtetit që janë blerë nga Havier Dobi me paratë e vjedhura dhe të hiqej sekuestro për llogaritë bankare të pastrueses Dobi dhe bizhuteritë e vjedhura t’u kthehen personave që iu janë vjedhur.