Këngëtarja e famshme, Selena Gomez, po i thotë lamtumirë vilës së saj luksoze në Encino të Kalifornisë, vetëm pak kohë pas ndryshimeve të mëdha në jetën e saj personale dhe zhvendosjes në një rezidencë më të madhe.
Bëhet e ditur se vetëm 6 muaj pas martesës me producentin muzikor Benny Blanco, ylli i muzikës ka vendosur të nxjerrë në shitje pronën për shumën 6.49 milionë dollarë.
Selena e kishte blerë vilën në vitin 2020 për 4.89 milionë dollarë, shumë kohë përpara lidhjes së saj me Benny Blanco. Por pasi çifti investoi në një rezidencë luksoze në Beverly Hills me vlerë rreth 35 milionë dollarë, shtëpia në Encino nuk i shërben më stilit të tyre të ri të jetesës.
Prona mbresëlënëse shtrihet në rreth 11,500 metra katrorë dhe përfshin 6 dhoma gjumi dhe 8 tualete, duke u konsideruar si një nga rezidencat më private dhe më të sofistikuara në zonë.
Vilës i shtohet edhe një histori e veçantë, pasi më parë i përkiste legjendës së muzikës Tom Petty, i cili e ndërtoi atë në vitin 1989 dhe jetoi aty deri në vitin 2017. Përpara se Selena ta blinte, shtëpia iu nënshtrua një rinovimi të plotë, duke u transformuar në një “kompleks privat për yje”.
Brenda saj gjenden ambiente super-luksoze si palestër, dhomë masazhi, kinema private, bodrum vere, studio muzikore dhe një “vocal booth” që besohet të ketë qenë pjesë e studios origjinale të Tom Petty.
Kuzhina është një nga hapësirat më të veçanta të vilës, me dizajn elegant klasik, sipërfaqe mermeri dhe ishull qendror modern, ndërsa jashtë saj ndodhen pishinë gjigante, spa, bar, kabana dhe një ujëvarë dekorative që i jep një atmosferë resorti.
Edhe pse prona është boshatisur nga sendet personale të artistes, në disa detaje ende ndihet prania e saj. Madje në fotot e publikuara nga agjencia imobiliare, në ekranin e kinemasë private shfaqet një video ku Selena Gomez shihet duke performuar.
Ndërkohë, Selena dhe Benny Blanco po shijojnë jetën në rezidencën e tyre të re në Beverly Hills, të cilën e blenë në fund të vitit 2024, periudhë kur konfirmuan edhe fejesën e tyre. Prona e re përfshin 7 dhoma gjumi, 12 banja dhe dy shtëpi të veçanta për mysafirë, duke reflektuar stilin e tyre gjithnjë e më luksoz të jetesës.





