Këtë të shtunë të 4 korrikut, shënohen 35 ditë protesta përpara Kryeministrisë, me kërkesë kryesore doreheqjen e kryeministrit, Edi Rama.

Sot është thirrur dhe diaspora, ashtu siç ishte paralajmëruar prej disa ditësh. Por, protesta e sotme përkon dhe me ditëlindjen e kryeministrit, Edi Rama. Qytetarët nuk e kanë harruar këtë gjë, pasi kanë sjellë dhe tortë për ta uruar kreun e qeverisë, por me urim të pazakontë:

Populli të uron! Jepe dorëheqjen, merr dhe Saliun me vete”, shkruhet mbi tortë.

Ditët e fundit ka pasur dhe përplasje midis qytetarëve dhe uniformave blu, për shkak të protestave të mbajtura përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku janë hedhur vezë dhe miell drejt automjeteve të ligjvënësve. Lidhur me këto përplasje, ka pasur të paktën 19 arrestime dhe 12 të proceduar penalisht. Protestuesit kanë kërkuar hetim dhe përgjegjësi për veprimet e efektivëve.

Prej kohësh, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kabinetit të tij qeveritar. Si çdo ditë tjetër, edhe sot, protestuesit janë grumbulluar te sheshi “Skënderbej” e më pas kanë marshuar drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit, duke u bashkuar me pjesën tjetër të qytetarëve, përpara Kryeministrisë.

Këto protesta janë cilësuar prej të rinjve si “Revolucioni i Flamingove”. Flamingo u përzgjodh si simbol sepse përfaqëson drejtpërdrejt ekosistemin e Lagunës së Nartës, por më pas u bë si shenjë dalluese e ngritjes së të rinjve, të cilët shprehin pakënaqësitë ndaj çështjeve sociale, ekonomike dhe politike në vend përmes protestave.