Kryeministri Boris Johnson ka urdhëruar mbylljen e Mbretërisë së Bashkuar për tre javë, duke u thënë britanikëve që ata duhet të “qëndrojnë në shtëpi” ose të përballen me gjoba. Masat drastike hyjnë në fuqi që nga mbrëmja e sotme.

Njerëzit do të mund të lënë shtëpinë e tyre për të bërë pazar, për të bërë stërvitjeje në ditë, p.sh. një vrapim apo ecje, për nevoja mjekësore, për t’u kujdesur ose ndihmuar një person të pamundur, si dhe për të shkuar në punë. Ndërkohë nuk do të lejohen festat familjare, dasmat, pagëzimet etj. Edhe kishat do të mbyllen për tre javë, raportojnë mediet britanike.

Pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, Johnson tha: ‘Nuk duhet të takoni miq. Ju nuk duhet të bëni pazar [për furnizime jo thelbësore]. Po jua them thjesht, shumë njerëz nuk duhet të bëhen bashkë. Shërbimi ynë shëndetësor nuk do të jetë në gjendje ta përballojë. Vitale është thelbësore të ngadalësojmë përhapjen e sëmundjes, sepse në këtë mënyrë ne zvogëlojmë numrin e njerëzve që kanë nevojë për trajtim spitalor në çdo kohë”.

Kryeministri britanik tha se policia do të përdoret për të vënë në zbatim një bllokim të paparë në mbarë vendin, ndërsa koronavirusi vazhdon të përhapet. Oficerët do të gjobisin këdo që nuk i bindet masave të reja, përfshirë ndalimin e takimeve të më shumë se dy personave.

Sot në Mbretërinë e Bashkuar u regjistruan 54 të vdekur nga koronavirusi, duke e çuar në total numrin në 335 viktima.