Policia e shtetit i ka bërë thirrje të gjithë pensionistëve në zonat urbane dhe rurale që të mos dalin nga shtëpia në asnjë orar.
Ndërkohë që këshillon që në oraret e lejuara të dalin vetëm pjesëtarët e familjes që bëjnë pazar.
Autoritetet apelojnë që të gjitha subjektet tregtare të marrin masa që klientët të zbatojnë distancën 1-1.5 metër.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të masave shtesë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe në zbatim të urdhrit të Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Policia e Shtetit u kërkon të gjithë pensionistëve në zonat urbane e rurale, në qendra të njësive administrative, të mos dalin nga banesat në asnjë orar të lejuar, me përjashtim të rasteve kur kanë një autorizim për të lëvizur ose emergjenca shëndetësore.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që në orarin e lejuar të lëvizjes për këmbësorët të lëvizin vetëm ata pjesëtarë të familjes që kanë të nevojshme të kryejnë furnizimin ditor për familjen.





