Pas kontrolleve në terren për zbatimin e masave mbrojtëse të qeverisë kundër përhapjes së koronavirusit në vend, Inspektorati Shëndetësor Durrës ka gjobitur sot një biznes në bulevard.
“DurrësLajm” mëson se bëhet fjalë për një subjekt që tregton kafe në “Rrugën Tregtare”, ndaj të cilit është marrë masa administrative prej 500 mijë lekësh dhe i është vënë shiriti i mbylljes.
Ky subjekt shiste kafe në gota plastike, duke u bërë pikë grumbullimi për shumë persona, çka është e rrezikshme për shëndetin pasi COVID-19 gjen terren për tu përhapur.
Prej disa ditësh, Inspektorati Shëndetësor Durrës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake po ushtron kontrolle në të gjithë qytetin duke mos toleruar asnjë shkelje në këto ditë të vështira që po kalon vendi.
Me urdhër të qeverisë, pas orës 13:00 të ditës së sotme deri nesër në orën 05:00 të mëngjesit gjithçka do të jetë mbyllur, ndërsa në rrugë do të kenë akses vetëm forcat e policisë, ushtrisë, shërbimet shterërore dhe përfaqësues të kompanive mediatike.
Ashtu siç është paralajmëruar më herët, orari i aktiviteteve ushqimore, farmaceutike, shërbimeve bankare, administratës do të jetë hapur nga ora 05:00-13:00, e masat për shkelësit do të jenë të forta e s’do të ketë tolerime për askënd.





