Kryeministri Edi Rama iu bëri edhe një herë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të zbatojnë masat e marra për ngadalësimin e përhapjes së koronavirusit.

Rama tha se është e pavërtetë që të rinjtë dhe fëmijët nuk preken nga ky virus, duke shtuar se sot në Izrael po luftohet për jetën e një fëmije 9 vjeç.

“Edhe unë në shtëpi sot dhe më vjen të qesh se ajo puseta e hapur dixhitale që kishte përhapur fjalën nuk shkoj në zyrë nga frika. Unë kam qenë i detyruar të shkoj në zyrë se ma ka dashur puna, por trimëria është të rezistosh mos të dalësh. Mbrëmë shifrat e të prekurve në SHBA ishin të frikshme për rininë. 40 % e të shtruarve janë nga 20-45 vjeç dhe jo pak prej tyre në gjendje të rëndë. Është e vërtetë që ky armik merr në botën tjetër përgjithësisht ata që janë më të moshuar të dobët, por është e pavërtetë që të rinjtë janë të paprekshëm, madje edhe fëmijët nuk janë 100% të paprekshëm. Sot në Izrael luftohet për jetën e një fëmije 9-vjeçar. I lutem atyre që luajnë mes orës 4-6 të mos dalin nga shtëpia, se mund të transportojnë bombat dhe të vrasin mos e dhënë kurrë zoti, prindërit dhe gjyshërit, por mund të humbasin edhe jetën e tyre”, tha Rama.