Ambasada e SHBA-së ka një mesazh për qytetarët lidhur me masën që duhet të respektojnë ata për distancën apo largësinë sociale sa i përket mospërhapjes së koronavirusit.
Në një status në Facebook, ambasada shkruan se largësia sociale nuk do të thotë se nuk jemi pranë njëri- tjetrit, por ne jemi pranë kur jemi me mendime dhe për këtë ka nisur edhe një nismë për mesazhe pozitive.
Në komentet e statusit, qytetarët mund të ndajnë kartolinën e tyre me mesazhe pozitive në këtë situatë të vështirë për gjithë botën.
STATUSI I AMBASADËS AMERIKANE
Zbatimi i largësisë sociale nuk do të thotë se nuk mund të jemi pranë njëri-tjetrit. Largësitë shkurtohen kur jemi pranë njerëzve të tjerë me mendimet tona. Prandaj sot, donim të ndanim me ju këtë nismë të bukur të Këndit tonë Amerikan në Vlorë. Këndi fton të gjithë të marrin pjesë dhe të ndajnë një mesazh pozitiv për miqtë, familjarët që ndodhen pranë apo larg, komunitetet ku jetojmë dhe të gjithë botën. Ndani kartolinën tuaj me ne në hapësirën e komenteve më poshtë.





