Shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino iu drejtohet të gjithë qytetarëve me një mesazh të rëndësishëm për të mposhtur koronavirusin.
Në mesazhin e shpërndarë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Bino iu kërkon qytetarëve të vetëizolohen, nëse shfaqin shenja respiratore, të ruajnë distancën 1 metra me të tjerët, e mbi të gjitha të mos përfshihen nga paniku.
“#COVID-19. Fjalën duhet ta kenë ekspertët! Ju lutem kushtojini pak minuta nga koha juaj këtij mesazhi të dr. Silva Binos #QëndroniNëShtëpi”, shkruan Manastirliu krahas videos.
“Me këtë mesazh dua t’iu drejtohem të gjithë qytetarëve, që të jenë të përgjegjshëm, të qëndrojnë në shtëpi. Nëse kanë shenjën më të vogël respiratore të vetëizolohen, të vetëizolohen dhe nga anëtarët e tjerë të familjes. Të përpiqen që edhe brenda shtëpisë apo kur dalin për nevojat e tyre personale apo të familjes, të ruajnë distancën të paktën 1 metër nga personat e tjerë. Ruajtja e distancës, vetëizolimi apo vetëkarantina janë mbjet shumë i rëndësishëm e cila shpesh herë bie mbi përgjegjësinë e individit, pavarësisht masave të tjera të distancimit sociale që janë marrë në këtë moment. Paniku nuk të çon në asnjë vend. Qëndrueshmëria, inteligjenca për përballimin e kësaj situate është elementi më i rëndësishëm me të cilin ne duhet të luftojmë. Punonjësit e shëndetit publik, e shërbimit të kujdesit shendetësor, të spitalit infektiv që po trajtojnë të sëmurët me COVID, janë në vijën e parë të frontit për të ruajtur shëndetin e qytetarëve, por kjo nuk mjafton. Ata duhet të ndihmohen nga vetë qytetarët”, shprehet Bino.





