Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord njëzëri sot për të ndaluar qytetarët evropianë të hyjnë në vendet e treta për 30 ditë, në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit COVID-19.
Kufijtë e jashtëm do të mbyllen, por korridore do tw krijohen me kufijtë e brendshëm për lëvizjen e shpejtë të mallrave.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha në një konferencë shtypi pas përfundimit të telekonferencës se i takon secilit shtet anëtar të zbatojë mbylljen e kufijve për shtetasit e vendeve të treta.
“Armiku është virusi dhe tani duhet të bëjmë gjithçka njerëzore të mundshme për të mbrojtur njerëzit tanë dhe financat tona. Ne jemi të gatshëm të bëjmë atë që kërkohet. Ne nuk do të hezitojmë të marrim masa shtesë”, tha ajo.
Më tej Presidentja e KE-së shtoi: “Koronavirusi është një tronditje e jashtme që prek të gjithë botën. Ne kurrë nuk jemi hasur me të më parë”, shtoi Ursula von der Leyen.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, von der Leyen dërgoi një mesazh optimist, duke thënë se një kompani evropiane kishte parashikuar se mund të kishte një vaksinë kundër koronavirusit të ri “deri në vjeshtë”.
Kancelarja gjermane Angela Merkel, nga ana e saj, u tha gazetarëve në Berlin se vendi i saj do të zbatonte menjëherë vendimin.
Do të ketë disa përjashtime nga ndalimi i hyrjes, të cilat vlejnë për shtetasit e vendeve të treta që megjithatë u lejohet të banojnë në vendet e BE-së, ose ata që duhet të kalojnë për shkak të një nevoje urgjente – për shembull, të paraqiten në gjykatë ose të marrin pjesë në një funeral, shpjegoi ministri i brendshëm gjerman.
BE gjithashtu do të “koordinojë” kthimin e evropianëve që janë bllokuar jashtë vendit për shkak të shumë kufizimeve dhe ndalimeve për udhëtime nga vende të ndryshme.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel ka thënë se samiti tjetër i liderëve evropianë, i planifikuar për 26 dhe 27 mars në Bruksel, do të zëvendësohet nga një telekonferencë, por nuk specifikoi kur.





