Pavarësisht apeleve të vazhdueshme nga qeveria dhe ekspertët e shëndetit, për mosdaljen nga banesa të të moshuarve, duke qenë se janë edhe grupmosha më e rrezikuar për t’u prekur rëndë nga koronavirusi, në Durrës sot janë konstatuar shumë të moshuar që kanë dalë të marrin ajër të pastër dukë përfituar edhe nga moti i mirë me diell.

“DurrësLajm” ka xhiruar në shëtitorën e Vollgës, pranë Sfinksit si dhe në rrugën “Taulantia”, ku brezi i tretë gjendej kudo jashtë.

Kryeministri Edi Rama njoftoi pasditen e djeshme se qeveria po përgatitet për ndalimin total të daljes së pensionistëve nga shtëpia deri në përfundim të situatës me koronavirusin. Pensionistët duhet të shërbehen nga fëmijët e tyre për furnizimet me ushqime dhe medikamente, ndërsa për ata që nuk i kanë fëmijët në të njëjtin qytet do të shërbehen nga shteti përmes strukturave që do të ngrihen mes bashkive dhe qeverisë.

“QË T’I PËRQAFOJMË FORT NESËR DHE T’I KEMI SA MË GJATË PRANË NESH, DUHET T’I IZOLOJMË SOT NGA ÇDO KONTAKT I MUNDSHËM, ME BOTËN PO E PO, POR EDHE ME VETË NE, QË AS DORËN NUK DUHET T’U JAPIM DHE AS PRAGUN NUK DUHET T’UA SHKELIM KUR U ÇOJMË USHQIMET A ILAÇET TEK DERA!”, shkruante kreu i qeverisë një ditë më parë, një apel që është në të mirën shëndetësore të të gjithë të moshuarve dhe do të ishtë mirë t’i ndiqnin këto këshilla.