Në ditën e katërt të shtetrrethimit, masat drastike për të evituar kontaminimin nga Covid-19,  janë thyer nga ana e qytetarëve durrsakë, të cilët duket se “plasën” brenda katër mureve.

Në mëngjes disa punëtorë janë rikthyer në vendet e tyre të punës edhe pse të paktë në numër. Makinat private kanë qarkulluar deri në orën 8:00 të mëngjesit, e më pas janë parkuar aty ku kanë “pushuar” për tre ditët e kaluara.

Por qytetarë të shumtë kanë dalë në diell, duke shijuar rrezet e kësaj pranvere, e duke thyer kështu rregullat e shtetit, për të qëndruar në shtëpi.

Temperatura e ngrohtë e pranverës, me rreze dielli ka bërë që shumë nëna të nxjerin në diell fëmijët e tyre.

Si në sheshin Liria në qendër të Durrësit ashtu edhe te Sfinksi, vihen re nënat e reja me karroca që nxjerrin fëmijët e tyre në diell qoftë edhe për pak minuta.

Por rrezeve të diellit dhe aromës së detit Adriatik, qoftë edhe për pak minuta nuk i mungojnë as qytetarët më të rritur se fëmijët, madje edhe të moshuarit të cilët janë ulur në shkallët e Sfinksit duke luajtur me njëri-tjetrin.

Kujtojmë se sot numri i të infektuarve në Shqipëri ka shkuar në 51 persona ndërsa i gjithë vendi është përfshirë nga masa të forta karantinore. Si kurrë më parë janë mbyllur në shtëpitë e tyre të mëdhenj e të vegjël, ndaj armikut të padukshëm e të pa njohur nga popullata.

K.H.