Në një situatë gati apokaliptike, ku durrsakët janë të ngujuar brenda, të vetmet që janë hapur janë dyqanet ushqimore, të fruta perimeve, furrat e bukës, farmacitë etj.
Në një kohë të tillë, kur koronavirusi kërcënon shëndetin e popullatës, ka nisur abuzimi i tregtarëve me çmimet.
Sot, një grup i ngritur nga Task-Force, në përbërje të së cilës janë përfaqësues nga Tatimet, AKU etj. kanë nisur kontrollet në të gjitha bizneset që këto ditë kanë qepenat hapur. Fokusi i kontrolleve ishin lëshimi i faturave tatimore me çmimet reale të produkteve dhe jo të ngritura artificialisht, gjurmimi i listës së çmimeve etj.
Operatori i DurrësLajm ju sjell pamjet e mëposhtme.Vërehet se të gjithë punonjësit e shtetit janë me maska e doreza si masa paraprake duke mbajtur dhe distancën, ashtu si edhe punonjësit që tregtojnë.
Tregtarët e fruta-perimeve kanë rritur në mënyrë të dukshme çmimet e tyre. Vihet re nga pamjet filmike të mëposhtme se etiketat e çmimeve mungojnë tërësisht mbi arkat e fruta perimeve, ndërsa qytetarët në rrjetet sociale kanë bërë me dije se çmimet janë disa fishuar duke nisur nga agrumet (portokalle, limona mandarina) e deri tek perimet si qepët apo patatet.
Në një ndalesë që bëri kreu i AKU Durrës, Manush Kullolli, në një nga supermarketet u bëri apel punonjësve për përdorimin e masave mbrojtëse si maska e doreza dhe njëkohësisht për të mos abuzuar me çmimin e produkteve, pasi do të monitorohen 24 orë në 24.
“Për çdo abuzim me çmimet do të ketë penalitete dhe ndëshkime, që do të jenë të karakterit administrativ dhe penal dhe që do të parashikohen në një VKM përkatëse, ndërkohë që do të bëhet gjurmimi i listës së çmimeve dhe faturave të blerjeve”, tha Manushi.
K.H.





