Megjithëse është Dita e Verës, Durrësi këtë të shtunë është bosh si asnjëherë më parë në një datë të tillë.
Përveç diellit pranveror, asgjë tjetër nuk të kujton se sot është Dita e Verës, nuk ka as aromë mimozash nëpër qytet, as stenda me ballokume, ëmbëlsirën tradicionale të 14 marsit, as zëra fëmijësh që gëzojnë bashkë me familjarët.
Nëpër rrugët e Durrësit nuk qarkullon më asnjë automjet ashtu siç edhe është urdhëruar nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Edhe pse është apeluar herë pas here që të kufizohen në maksimum lëvizjet për të mirën e të gjithëve, disa durrsakë e kanë gjetur mënyrën sesi të ecin këto kohë nëpër rrugët e boshatisura.
Siç duket edhe nga fotot që “DurrësLajm” publikon, qytetarët i janë rikthyer biçikletave gjatë ditëve të “shtetrrethimit”, kur qyteti duket pa “jetë” me qëllimin e mirë; që të mund të shpëtojmë sa më shumë jetë nga COVID-19.





