Djali i njërës prej pacienteve në Durrës, që ka rezultuar pozitive me koronavirus, pasi ndodhej për disa ditë e shtruar në të njëjtën dhomë me 73-vjeçaren që humbi jetën një ditë më pare, shprehet i shqetësuar për shëndetin e mamasë së tij.
DurrësLajm kontaktoi mesditën e sotme me të, por për të ruajtur privatësinë e familjes po e publikon identitetin e tij vetëm me iniciale.
Sh.B. shprehet se i kanë komunikuar në telefon se nëna e tij ka rezultuar pozitive, por deri më tani e moshuara vazhdon të qëndrojë në shtëpi. Megjithëse tashmë Task Forca e ngritur për koronavirusin e di që nëna e shtetasit Sh.B. është e prekur nga virusi që një ditë më parë shkaktoi viktimën e parë në vendin tonë, nuk ka dërguar akoma një autoambulancë për ta shoqëruar në spital. Në telefon i është thënë vetëm që të kontaktojë në nr. 127 të Urgjencës Kombëtare, por ende asnjë mjek nuk është paraqitur për të parë nga afër gjendjen e të moshuarës, e cila që nga dita e hënë ka lënë spitalin, pas një pneumonie që kaloi.
Gjendja e saj tani për tani është e mirë, por si mund të lihet për kaq orë pa mbikqyrjen e bluzave të bardha një e moshuar e prekur nga virusi që mund të rezultojë vdekjeprurës, sidomos për moshën e tretë.
Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli pranoi ditën e sotme, gjatë konferencës për shtyp se dy paciente nga Durrësi, që kanë qenë në kontakt me 73-vjeçaren që ndërroi jetë, kanë rezultuar pozitive.
“18 personat që kanë rezultuar pozitivë me koronavirus janë pa shenja klinike, të vetëizoluar në shtëpi dhe pa shenja të veçanta”,- tha gjatë konferencës zv/ministrja Rakacolli.
Vërtet 18 personat mund të rezultojnë tani për tani pa shenja klinike, por askush nga bluzat e bardha nuk mund të japë garanci se gjendja e tyre shëndetësore nuk mund të përkeqësohet në vijim.
Task-Forca dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu kanë theksuar disa herë gjatë këtyre ditëve se kanë marrë të gjitha masat për përballimin e situatës dhe rasteve kritike që mund të paraqiten. Por vetëm disa pyetjet që shtrohen në këtë rast janë:
Pse qëndrojnë të shtruar në spitalin e infektivit 5 pacientë me moshë relativisht më të re sesa e moshuara në Durrës, ndërkohë që ajo, megjithëse ka kaluar një pneumoni vetëm pak ditë më parë, qëndron në shtëpi, vetëm nën kujdesin e familjes?!
Pse asnjë mjek nuk e ka parë nga afër gjendjen e të moshuarës gjatë këtyre ditëve?
Sa rrezikojnë familjarët e zonjës në këtë rast, pasi ata kanë qenë në kontakt të ngushtë me të këto ditë?
Si mund të vetëkarantinohet në shtëpi një person i moshës së tretë, që mund të ketë nevojë për kujdesin e familjarëve?
Ditën e sotme, shkoi në 23 numri i të prekurve nga koronavirusi në të gjithë vendin, ku vetëm dy raste janë në Durrës. Vlen të kujtohet që të mërkurën u regjistrua viktima e parë në vend nga Covid 19, një 73 vjeçare nga qyteti bregdetar, e cila vuante nga disa sëmundje kronike. Ndërkohë , një tjetër qytetare nga Durrësi humbi jetën pak ditë më parë në Itali, pasi, siç konfirmoi edhe konsullja shqiptare në Milano, Anila Pojani, kishte rezultuar pozitive ndaj koronavirusit.





