Mitat Tola, shefi i Sektorit të Policisë Rrugore, ka shpjeguar të gjithë mënyrën sesi do të funksionojnë gjobat dhe verifikimi i shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugore, tanimë që koronavirusi është futur në Shqipëri dhe vendi ndodhet në një situatë kaotike me 11 të prekur dhe 1 viktimë.
Tola tha se Organet Administrative Shtetërore, OASH, do të pezullojnë detyrën që kryejnë aktualisht, dhe gjithçka do të zhvillohet në mungesë të kundravajtësve, pa u bërë seanca verifikuese dhe shqyrtuese. Tola gjithashtu shtoi se sapo vendimet të merren do të pasqyrohen online, dhe me postë. Gjithashtu, ai shtoi se nëse qytetari pranon, atëherë do të japë numrin e celularit, dhe vendimi do t’i dërgohet në Whatsapp.
DEKLARATA E PLOTË:
Policia e Shtetit, Shefi i Sektorit në Drejtorinë e Policisë Rrugore Mitat Tola, gjatë një interviste, ka shpjeguar mënyrën e re të funksionimit të OASH-së, pranë DVP-ve.
Në kuadër të masave të marra me qëllim parandalimin e përhapjes së coronavirusit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka nxjerrë urdhrin “Për pezullimin e përkohshëm të veprimtarisë dhe shërbimeve të OASH-ve për trajtimin e kundërvajtjeve administrative”.
Nisur nga situata e krijuar në vend, në kushtet e mbrojtjes dhe të parandalimit të përhapjes së virusit COVID 19, të nevojës për shmangien e kontakteve fizike të punonjësve të Policisë Rrugore në seancat e verifikimeve të kundërvajtjeve administrative prej OASH-ve vendore, me qëllim vijimin e procedurës administrative dhe të shqyrtimit në një format në mungesë të kundërvajtësit dhe kufizimin e kontakteve fizike, deri në normalizimin e situatës shëndetësore në vend, ky urdhër, për një periudhë dyjavore, parashikon:
– Pezullimin e veprimtarisë së organeve administrative shtetërore të Policisë Rrugore pranë sektorëve të Policisë Rrugore në Drejtoritë Vendore të Policisë, në mënyrën si zhvillohet sot me prezencën e kundërvajtësit ;
– Aktiviteti administrativ i OASH-ve për shqyrtimin e masave plotësuese dhe ato me gjobë do të vazhdojë të zhvillohet në mungesë të kundërvajtësve, duke shmangur praninë e tyre në zhvillimin e seancave verifikuese dhe të shqyrtimit të tyre ;
-Vendimet e marra nga ana e OASH-ve do t’u dërgohen me postë të zakonshme kundërvajtësve dhe menjëherë, sapo vendimi të merret, pasqyrohet në E-GJOBA;
– Agjentët verifikues dhe patrullat e Policisë Rrugore, në çdo rast që konstatojnë shkelje rrugore që janë objekt shqyrtimi pranë OASH-ve, i transmetojnë kundërvajtësit detyrimin për mosparaqitjen në OASH dhe i kërkojnë, kundrejt miratimit të tij, një numër telefoni celular, të cilin e vendosin në rubrikën e “adresës” tek procesverbali i konstatimit të shkeljes, në të gjitha kopjet. OASH-ja respektive, në rastet kur është e mundur, i dërgon në numrin e deklaruar nga qytetari në aplikacionin ËhatsApp, vendimin në formatin PDF. Njëkohësisht, me procedurë të rregullt postare i dërgon kundërvajtësit, vendimin e firmosur dhe vulosur. Në të gjitha rastet do të respektohen afatet e përcaktuara në Kodin Rrugor.





