Jo më vetëm veriu i Italisë në karantinë, por i gjithë gadishulli italian do të jetë nën masa drastike për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
“E gjithë Italia do të jetë Portokalli”, tha kryeministri Giuseppe Conte gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp mbrëmjen e sotme.
“Të gjithë në shtëpi. E ardhmja jonë, e ardhmja e Italisë është në duart tona. Shifrat e larta të të prekurve nga koronavirusi na detyrojnë të ndërmarrim këtë vendim”,- tha kryeministri italian, i cili theksoi se dekretin per masat drastike do ta nënshkruante pas konferencës dhe po mbrëmjen e sotme ai do të botohet në fletoren zyrtare.
“Masat drastike për të gjithë Italinë do të hyjnë në fuqi mëngjesin e së martës”,- tha më tej Conte.
Ditën e diel hynë në fuqi masat drastike që parashikonin karantinën për të paktën 16 milion njerëz në rajonin e Lombardisë dhe gjithashtu në 14 provinca deri në fillim të prillit.
Me këtë vendim do të mbyllen palestrat, pishinat, muzetë dhe vendpushimet e skive. Dasmat dhe funeralet nuk do të lejohen gjithashtu. Edhe shkollat do të qëndrojnë të mbyllura deri më 3 prill.





