Lajmi i ndërprerjes së procesit mësimor në institucionet publike e private, në Durrës ka shkaktuar jo pak habi tek të gjithë qytetarët të cilët, nuk janë mësuar ende me situatën e re të kufizimeve për shkak të koronavirusit.
Sot, kryeministri Edi Rama dha urdhër që mësimi të pezullohet pas shfaqjes së dy rasteve me koronavirus në vendin tonë, ndërsa emaili zyrtar i lajmërimit nga Ministria e Arsimit te drejtoritë e shkollave nuk kishte mbërritur ende në këto institucione në Durrës.
Prindërit thonë se do të mbajnë fëmijët në shtëpi, sipas urdhërit, ndërsa mësuesit thonë se do t’i lajmërojnë prindërit sapo të njihen zyrtarisht me vendimin.
Shumë fëmijë nuk kanë asnjë masë mbrojtëse, sikundër ndodhi ditët e para kur të gjithë nxituan të pajiseshin me maska në fytyrë. Mësuesit ende nuk e dinë si do të veprohet me orët e mësimit, gjithsesi edhe qytetarët janë më të vetëpërmbajtur ndaj situatës së krijuar.
Ata shprehen se nuk ka vend as për frikë e as për panik, ndërkohë që jeta në qytetin bregdetar ka vijuar normalisht.
Institucionet po kështu kanë vijuar punën normalisht, ndërsa Autoriteti Portual i Durrësit pezulloi lundrimet me veriun e Italisë, me portet e Ankonës dhe të Triestes, si masë paraprake për të parandaluar hyrjen e personave të infektuar me koronavirus.
K.H.





