Tani nuk është më vetëm presidenti i Hofenhaimit, Ditmar Hop, por edhe drejtori ekzekutiv i Bajernit në shënjestrën e ultrasve. Karl Hainc Rumenige është ofenduar në disa stadiume gjatë ndeshjeve të luajtura dje në kampionatin gjerman.“Ditmar Hop, nuk je vetëm. Karl Hainc Rumenige mund të jetë vëllai yt”, ishte një nga banerat e shfaqura dje. “Bashkëshortët e Kalles, ju jeni armiqtë tanë”.Por gjithsesi, ata që u ofenduan më shumë edhe në këtë javë ishin Federata Gjermane e Futbollit dhe presidenti i Hofenhaimit.

“Mamaja e Hopit, mamaja e të gjitha problemeve”, “U prekët shumë kur u ofendua një miliarder plak, por për të vdekurit në Katar vazhdoni të festoni”, ishin disa nga shkrimet që lexoheshin në parrullat e ultrasve.Kujtojmë se në ndeshjen e javës së kaluar midis Hofenhaimit dhe Bajernit, Rumenige i doli publikisht në mbrojtje presidentit Hop, pasi ky i fundit u ofendua në kor nga ultrasit bavarezë.

Drejtori ekzekutiv i bavarezëve u shpreh gjithashtu i ofenduar nga thirrjet e tifozëve. “Jam shumë i turpëruar nga këta tifozë që vetëm kështu nuk mund t’i quaj. Ka ardhur koha që këta njerëz të largohen njëherë dhe përgjithmonë nga futbolli”, tha Kalle. Kjo duket se nuk u ka pëlqyer fare ultrasve që dje treguan se kjo gjë nuk do të ndalet me kaq.

Ndërkohë, frika për trazira mbizotëron në Mynih në prag të ndeshjes së sotme me Augsburgun, aty ku pritet të ketë parrulla të tjera kundër Hop dhe ndoshta edhe Rumeniges. Kujtojmë se gjatë javës ultrasit i kanë dërguar një letër Fedratës Gjermane të Futbollit duke kërcënuar me hyrje në fushën e lojës gjatë ndeshjeve. Kjo ka bërë që institucioni më i lartë i futbollit në Gjermani të kërkojë një takim me policinë dhe të gjitha klubet për të diksutuar mbi sigurinë në stadium.

Nuk përjashtohet edhe mundësia e pezullimit të kampionatit në rast se ngjarjet do të agravonin më shumë. “Në Bundesligë, ky alarm ka rënë para disa sezonesh, tani është vetëm vazhdimi”, shkruan “Bild” në një koment të bërë mbi këtë ngjarje.