Rajoni i Pulias ka shprehur shqetësimin për përhapjen e koronavirusit, pasi mijëra italianë që jetojnë në veri të vendit kanë filluar të braktisin shtëpitë e tyre duke iu drejtuar rajoneve në jug të vendit.
Kjo lëvizje e qytetarëve italianë në veri erdhi pas firmosjes së një dekreti nga qeveria për të vendosur në karantinë rreth 16 milion persona, duke iu ndaluar lëvizjen e lirë dhe udhëtimet në vendet e tjera.
Presidenti i Rajonit të Pulias, Michele Emiliano, nënshkroi një urdhër brenda natës. Ky urdhër detyron të gjithë ata persona që vijnë nga zonat që është vendosur karantinimi që të izolohen për të paktën 14 ditë. Kryesisht zonat që përfshin ky urdhër janë Lombardia dhe krahinat e Modenës, Parmes Piacences, Reggio Emilias, Pesaros dhe Urbinos, Venecias, Padoves, Trevisos, Astit dhe Alessandria-s.
“Unë po ju flas sikur të ishit fëmijët e mi, vëllezërit e mi, nipërit dhe mbesat e mia. Mos e sillni epideminë nga Lombardia dhe Emilia në Puglian tuaj. Ju po mbani në mushkëri atë, do të sëmurni vëllezërit dhe motrat, gjyshërit tuaj, xhaxhallarët, kushërinjte, prindërit. Mund të mbroheni duke qëndruar në shtëpi dhe duke marrë të gjitha masat paraprake që keni mësuar tani”. shkruan Emiliano.
Italia është vendi më i goditur nga koronavirusi në Europë. Sipas raportimeve të fundit numri i të vdekurve ka kaluar mbi 230 persona, ndërsa të konfirmuar janë 5.883 të infektuar.





