Në 8 Mars, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në qytetin e Durrësit, është organizuar një marshim sensibilizues, për t’i thënë Stop dhunës ndaj grave. 

Qyteti bregdetar është tronditur gjatë muajit shkurt nga vrasja e Manjola Cukut dhe Hajdije Tasunit, që humbën jetën nga dora e bashkëshortëve të tyre. Ndërkohë, mbrëmjen e së premtes, në zonën e plazhit, një tjetër grua rrezikoi të shndërrohej në viktimën e rradhës nga dhuna në familje, por fatmirësisht gjendja e saj shëëndetësore është tashmë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshorti dhunues në pranga.

Për të ndërgjegjësuar opinionin publik për dhunën ndaj grave, shoqata “Gender, Paqe e Siguri” ka organizuar marshimin sensibilizues, të cilit i janë bashkuar dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm si të rinj dhe të reja të qytetit, studentë dhe organizata të tjera.

Marshimi nisi në sheshin përpara Drejtorisë Vendore të Policisë, pikërisht aty, ku regjistrohet çdo rast denoncimi për dhunë të të gjtha formave, aty ku çdo grua dhe vajzë troket. Me pankarta në duar, ku sensibilizohej për reagim ndaj dhunës, pjesëmarrësit nisën marshimin e tyre. Eriselda Shpata, përfaqësuese e shoqatës “Gender, Paqe e Siguri”, u shpreh e kënqaur që kësaj nisme iu bashkuan dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm dhe veçanërisht djem dhe burra.

Shpata e shikon si pozitiv faktin se pikërisht në këtë ditë gratë kanë nisur të sensibilizohen për t’i thënë jo dhunës, duke e konsideruar këtë ditë më tepër sesa një ditë feste, një ditë kur duhet të kërkohet siguri për çdo grua dhe vajzë.

Marshimi i pjesëmarrësve vijoi më pas në mënyrë paqësore drejt qendrës së qytetit, ku ndalesat e rradhës ishin gjykata e rrethit dhe sheshi “Liria”, ku dhe u mbyll marshimi sensibilizues.

K.H.