Vatikani është mes vendeve si Serbia, Slovakia dhe Kameruni, që sot, e premte, kanë raportuar rastet e para të të prekurve në këto shtete me koronavirus. Një pacient rezultoi pozitiv në testet për COVID-19 të enjten në klinikën shëndetësore të Vatikanit, tha zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni për AFP, pa dhënë më shumë detaje.
Klinika brenda qytetit të vogël ku jetojnë rreth 450 banorë do të pastrohet në mënyrë urgjente, por salla e Urgjencës do të mbetet e hapur, tha Bruni, i cili lajmëroi se Vatikani ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të mbrojtur qindra priftërinj dhe banorë.
Klinika e Vatikanit përdoret nga priftërinjtë, banorët dhe punonjësit – përfshirë ata që tani dalin në pension – si dhe të afërmit e tyre. Shumica e punonjësve të Vatikanit jetojnë në rajonin Lazio, ku 44 persona kanë rezultuar pozitiv ndaj virusit.
Papa Françesku është deri sot i sëmurë pasi ka marrë një ftohje të rëndë, e pas testeve, rezultoi negativ ndaj Covid-19. 83-vjeçari ka një mjek personal dhe nuk viziton qendrën mjekësore, përveç rasteve të rralla kur përshëndetet me stafin.
Vatikani tha të enjten se po shqyrtonte ndryshimet në axhendën e Papës. Por nuk është thënë nëse Papa do të ndalohet të ketë takime me njerëzit që shkojnë në mesha apo nëse ai do të ndalohet të shtrëngonte duart me vizitorët.





