Janë 1835 të prekur nga koronavirusi në Itali, 258 persona më shumë sesa një ditë më parë. Ndërkohë, numri i të vdekurve ka arritur në 52 persona, 18 më shumë sesa ditën e diel.

Numri i të shëruarve ka arritur 149 persona, 66 më shumë sesa një ditë më parë. Të dhënat janë bërë publike nga komisari Angelo Borreli, gjatë konferencës për shtyp nga selia e Mbrojtjes Civile, raporton Ansa.

Në Romë dhe në provinca, aty ku një polic rezultoi pozitiv nga koronavirusi, shënohen 12 persona të prekur.

Megjithëse në Itali dhe vende të tjera evropiane numri i të prekurve nga koronavirusi po rritet, për Organizatën Botërore të Shëndetësisë nuk bëhet ende fjalë për pandemi.

“Me masa drastike dhe agresive mund të parandalohet përhapja e virusit” – tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Po monitorojmë situatën çdo moment dhe çdo ditë dhe po analizojmë të dhënat”,- tha më tej Ghebreyesus.

“OBSH nuk do të ngurojë të shpallë pandeminë, nëse të dhënat do na e sugjerojnë diçka të tillë”,- tha ai.