Policia e Durrësit ka vënë në pranga 3 drejtues mjetesh, njëri prej të cilëve ishte drejtuesi i “Benz”-it që u përplas ditën e djeshme në Tapizë me një mjet tjetër dhe autobus, e ku si pasojë ndërroi jetë një drejtues dhe u plagosën 8 të tjerë.

Ndërsa dy drejtuesit e tjerë që janë arrestuar në flagrancë, u konstatuan në gjendje të dehur në timon në rrugët e Durrësit.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit:

*H. Sh,45 vjeç, banues në Tiranë – Ky shtetas në aksin rrugor Tiranë – Fushë Krujë, në Tapizë, duke drejtuar mjetin tip “Benz” është përplasur me mjetin tip “Volkswagen”  e më pas është përplasur me mjetin autobus tip “Benz”. Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë në vend drejtuesi i mjetit tip “Volkswagen” shtetasi F.Xh., 59 vjeç, si dhe kanë mbetur të dëmtuar shtetasit V.Xh., A.Xh., R.D., M.D., T.Gj., K.Gj., T.L., Xh.L.,  pasagjerë në mjetet “Volkswagen” dhe autobus “Benz”,  të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

*A.Ç., 28 vjeç, banues në Durrës – pasi në lagjen nr.4 Durrës, u kap duke drejtuar mjetin tip “Benz” në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.

*Z.M., 56 vjeç, banues në Durrës – pasi në lagjen nr.8, Durrës u kap duke drejtuar në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe Drejtimi automjetit në mënyrë të pa rregullt”.