Policia e Shtetit ka publikuar të dhënat për tre persona të tjerë të kërkuar për vrasje të cilët tashmë janë objekt i punës së njësisë së kërkimit. Mes të shpallurve në kërkim janë Dritan Rexhepi i cili ka vrarë dy persona në 1999 për të cilën është dënuar me 25 vite burg.
Kush është Dritan Rexhepi
Dritan (Gramoz) Rexhepi është dënuar me 25 vite burg si autor i vrasjes së dy policëve Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998 në Fushë-Krujë. Në vitin 2006 ai është kapur nga policia “Hotel Tirana” në qendër të kryeqytetit së bashku me një person tjetër, ku të dy kanë qenë të armatosur me pistoleta. Sipas akuzës të dy të rinjtë ishin vrasës me pagesë dhe Dritan Rexhepi u dërgua në komisariatin e Policisë në Durrës, pasi ishin dënuar nga gjykata e këtij qyteti për krimin në Fushë-Krujë. Dy të rinjtë i lanë në komisariat me qëllim që dy ditë më pas të dilnin para Gjykatës. Atë natë filloi legjenda e arratisjeve të vlonjatit. Gramoz Rexhepi mundet të përfitojë nga hutimi i efektivëve që duhej të ruanin të prangosurit, që nuk kishin marrë masa të forta sigurie brenda në komisariat. Madje, ata kishin vendosur t’iu linin dyert hapur me qëllim komunikimin me njëri-tjetrin.
Sipas përshkrimeve të bëra nga dëshmitarë të asaj ngjarjeje, Dritan Rexhepi gjen momentin e përshtatshëm për t’u shkëputur nga vëmendja e policëve roje. Ai ndryshon xhupin, duke e kthyer anën e brendshme për të jashtme, dhe niset në drejtim të daljes me një dosje nën krah, që gjeti mbi një tavolinë dhe kaloi pa asnjë problem edhe rojen tek dera e jashtme. Pavarësisht alarmit dhe kërkimeve nga policia i riu vlonjat nuk u kap dhe nga ky moment filloi “telenonela kriminale” e Dritan Rexhepit me shumë episode arratisje spektakolare nga burgjet e Europës dhe akuza për aktivitet kriminal nga 4 shtete të ndryshme europiane veç Shqipërisë
Njoftimi i policisë:
Tre personat e tjerë të kërkuar për vrasje, objekt i punës së Njësisë së Kërkimit.
Dritan (Gramos) Rexhepi
Në datën 6 janar 1999, në Krujë, shtetasi Dritan Rexhepi ka vrarë me armë zjarri shtetasit D. K. dhe R. B. Dritan Rexhepi është dënuar me 25 vjet burg, nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, “Plagosja e rëndë, me pasojë vdekjen” në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Bledar Mneri
Në datën 30.11.2015, në Tiranë, shtetasi Bledar Mneri ka vrarë shtetasin V. B. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka vendosur dënimin me 25 vjet burg, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Gazment Nebiu
Ky shtetas ka qenë pjesëtar i bandës së armatosur “Banda e Kakamit” dhe për këtë arsye Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Krijimi i bandës së armatosur”, “Vrasja me paramendim, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të bandës së armatosur” (3 herë), “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të bandës së armatosur” dhe “Armëmbajtja pa leje, në kuadrin e bandës së armatosur”.





