“Shpresoj që dikush të më ndihmojë, sepse duhet të zgjidhim menjëherë këtë situatë të krijuar”, deklaroi Maurizio Sarri pas humbjes së Juventusit në transfertën ndaj Veronës, që ishte e dyta në tre javë për bardhezinjtë.
Situata në skuadër nuk është aspak e mirë, ndërsa përveç kritikave ndaj taktikave të trajnerit italian, janë evidentuar edhe probleme fizike të disave prej lojtarëve, që kanë mbi 30 vite mbi supe.
Megjithatë drejtuesit i janë përgjigjur menjëherë thirrjes së Sarrit për ndihmë, pasi mbrëmjen e djeshme presidenti Agnelli e dy drejtorët Nedved e Paratici, kanë darkuar me teknikun në një restorant në Torino.
Mediat pranë klubit torinez zbulojnë se Sarri ka ndarë të gjithë shqetësimet e tij me drejtuesit, që nga ana e tyre janë treguar të gatshëm të ndërhyjnë për të kontribuuar sadopak në rikthimin e qetësisë dhe dhënien e sinjaleve të bashkimit.
Presidenti Agnelli iu ka dhënë menjëherë sinjal futbollistëve se shoqëria e trajneri janë të bashkuar në idetë e tyre për të punuar dhe për të fituar, ndërsa pritet reagimi që në ndeshjen e të enjtes në mbrëmje përballë Milanit në Kupën e Italisë.





