Arbër Çyrbja është një nga lojtarët kryesorë të Teutës këtë sezon. Në sfidën e fundit të zhvilluar në kryeqytet, ai u ndëshkua me karton të kuq në sfidën ndaj Tiranës. Momentin që diktoi edhe vijimësinë e ndeshjes, duke qenë se miqtë mbetën për shumë minuta me dhjetë, e shpjegon vetë protagonisti. Arbër Çyrbja, ka theksuar se ndëshkimi me të kuq ndaj tij ishte i tepruar.Futbollisti i durrsakëve u ndëshkua me të kuq në minutën e 43-të të ndeshjes pasi në një moment i afrohet Elton Kalesë dhe jep idenë e goditjes ndaj tij, por pamjet filmike tregojnë se nuk e ka prekur në fytyrë, përtej gjestit të tentuar.

Çyrbja, çfarë nuk shkoi në Tiranë? 

Teuta zhvilloi një nga ndeshjet më të mira të këtij sezoni. Mund të them se ne nuk u rrezikuam në asnjë moment. Ajo që na penalizoi, ishte goli i barazimit, por edhe disa veprime te arbitrit. Ajo ndeshje ka kaluar dhe tani do të përpiqemi të grumbullojmë sa më shumë pikë dhe më pas t’i bëjmë llogaritë në fund se çfarë kemi arritur.

Si është e vërteta e kartonit të kuq që morët?

Kale është një aktor shumë i mirë dhe arbitri e besoi. Nuk ishte karton i kuq! Unë nuk bëra asnjë veprim për t’u ndëshkuar, ndaj jam shumë i mërzitur për këtë pjesë.

Çfarë prisni nga ndeshja me Luftëtarin? 

Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne dhe nuk duhet të humbasim. E them këtë, sepse në rast të një humbjeje tjetër, do të hedhim poshtë mundin tonë. Ne do ta përgatisim ndeshjen që të marrim tri pikë. Edhe Luftëtari vjen nga një anë jo e mirë psikologjike dhe na duhet që të kemi dhe më tepër fat, pasi është pjesë e futbollit.

Ju duhen pikët, por në të njëjtën kohë edhe Luftëtari po lufton për të tentuar mbijetesën. A e bën më të vështirë këtë ndeshje ky fakt?

Çdo ndeshje është e vështirë, pavarësisht kundërshtarit. Nisur nga kjo, ne si në çdo ndeshje, futemi në fushë për fitore pavarësisht se cilën skuadër kemi përpara. Ne do të vazhdojmë me synimet tona, që të jemi në Europë. Jemi një grup shumë i mirë lojtarësh, të palodhur në çdo aspekt, dhe mendojmë vetëm për objektivat tanë e jo për të tjerët.

Objektiv mbetet Europa. Sipas jush, sa shanse ka Teuta që ta arrijë?

Janë edhe shumë pikë të mbetura në garë dhe ne duhet dhe do të luftojmë për të dhënë gjithçka. Do të jenë të gjitha ndeshje të vështira dhe duhet të bëjmë gjithçka është e mundur në fushë për të marrë maksimumin. Jam i bindur që i kemi realisht shanset për të arritur objektivin. E them këtë sepse që në fillim të këtij sezoni, kemi qenë gjithmonë në tri vendet e para dhe besoj që në fund do të jemi në Europë, pasi ky ekip i ka të gjitha mundësitë.