Portieri i Teutës, Stivi Frashëri, nxjerr në pah momentin e mirë të bluve. Sipas Frashërit, përballja ndaj Tiranës është e radhës dhe asgjë më tepër. I pyetur rreth nostalgjisë ndaj bardhebluve, Frashëri thekson se prioritet i tij është të fokusohet me Teutën dhe s’ka aspak vend për nostalgji. Gardiani flet dhe për formën e tij dhe shpreson se deri të dielën të jetë në 100% e tij.
Pas fitores me Bylisin në kampionat dhe Erzenin në Kupë, shkoni në Tiranë. A jeni gati që të “sfidoni” ekipin e momentit?
Normalisht ne jemi gati për të sfiduar çdo ekip, sepse punojmë dhe besojmëçdo moment te potenciali i gjithsecilit dhe më shumë besojmë te puna në grup, çdo ndeshje ka specifikat e veta dhe çdo ekip është i vështirë në Superiore këtë vit. Kështu që e vlerësojmë çdo ekip si skuadër e momentit dhe mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme për t’i ndalur.
Fakti që Tirana ka 5 fitore radhazi, a e bën të frikshme?
Tirana në çdo moment ësh të ekip i fortë, qoftë në fitore apo dhe në humbje, sepse është filozofia e vetë ekipit e tillë, por që s’kemi pse trembemi. Në fund të fundit është thjesht ndeshja e radhës.
Ky duel ka një specifikë të veçantë, pasi përballen dy skuadra që në 2020-ën festojnë edhe 100-vjetorin… A do të ishte një fitore, një “dhuratë” për tifozët?
Normalisht që do ishte një arsye më shumë për të festuar më bukur dhe gjej dhe rastin për t’i uruar 100-vjetorin Teutës. Të gjithë tifozëve të saj u uroj sa më shumë suksese të mëtejshme.
Do luhet në “Air Albania”, çfarë ndjesie ju jep?
Është realisht diçka e veçantë, sepse është impianti më modern i futbollit shqiptar dhe është kënaqësi e veçantë për këdo futbollist të performojë dhe të japë maksimumin në kushte të tilla.
Ndaj Bylisit keni sakrifikuar duke luajtur i dëmtuar. Tani si është gjendja e Stivit?
Momentalisht kondicioni im fizik nuk është në gjendjen më të mirë të mundshme të themi. Edhe pse sakrifikova në ndeshje me Bylisin, dhimbjet normale që më shumë u shtuan sesa u pakësuan, por shpresoj që deri në ditën e ndeshjes të rikuperohem plotësisht dhe po punoj çdo ditë për të qenë në formën optimale.
Përballja me të shkuarën, jua shton nostalgjinë?
E kam thënë dhe vazhdoj e rithem çdo herë, por s’e kuptoj pse gjithmonë bëhet kjo pyetje. Po e ritheksoj, Stivi nuk ka nostalgji për të shkuarën, sepse çfarë mbetet pas, mbetet pas dhe s’ka kthim kohe apo dhe koke. Jam natyrë që shoh vetëm përpara për të bërë progres sa më shumë të jetë e mundur, fokusohem tek ekipi që luaj për të dhënë maksimumin. Fokusohem të ndihmoj skuadrën dhe shokët e mi sa të kem mundësi. E ritheksoj dhe njëherë që fokusi im maksimal është te fanella që mbaj veshur.
Sa ju penalizon fakti që Tirana drejtohet nga Emanuel Egbo, që dikur ka qenë edhe përgatitësi juaj si portier?
Egbo ka qenë shumë pak kohë përgatitësi im si trajner portierësh. Por duke ditur që futbolli evoluon gjithmonë edhe më shumë dhe unë shpresoj të jem zhvilluar deri në atë masë, sa ky fakt të mos më penalizojë.
Teuta ka Arapin në dyshim për kryendeshjen e fundjavës
Teuta do të luajë një ndeshje delikate dhe vendimtare për synimet që kanë durrsakët në kampionat, pasi do të përballen me Tiranën në kryeqytet. Durrsakët në këtë sfidë vijnë pas një fitore në fushën e tyre me ballshiotët e Bylisit. Por, edhe në Tiranë, skuadra e Martinit do të kërkojë pikët maksimale. Deri më tani, durrsakët nuk presin ndonjë surprizë nga merkato që duket se është mbyllur, ndërsa Renato Arapi është i vetmi dyshim që e ka trajneri Martini për sfidën e radhës.
Kapiteni u dëmtua dhe e la ndeshjen përgjysmë ndaj Bylisit dhe vetëm pak për para ndeshjes, trajneri Martini do të vendosë nëse do ta përfshijë në 11-she, apo do ta ketë vetëm të grumbulluar për sfidën në transfertë ndaj bardhebluve Renato Arapin.





