Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, u takua këtë të premte edhe me Kryeministrin Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë thotë se gjatë takimit të mirëseardhjes së ambasadores u bisedua mbi prioritetet e përbashkëta si dy vende aleate që janë Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri bën me dije se pas takimit me Kim është mbledhur qeveria, ku u kaluan paketa e njohur si “AntiKÇK” dhe ligji special për masat pasurore ndaj krimit të organizuar. Këtë gjë, Kryeministri Edi Rama e quan si koincidencë të bukur pas takimit me ambasadoren.
“Takimi i mirëseardhjes së ambasadores amerikane Yuri Kim me fokus në prioritetet e përbashkëta si dy vende aleate. Koincidencë e bukur mbledhja e mëpastajme e qeverisë, ku kaluam paketën AntiKÇK&Ligjin Special për masat pasurore ndaj krimit të organizuar”, tha Rama.
Pak ditë më parë që prej arritjes në Tiranë, Kim është takuar me Presidentin Meta, ambasadorin Luigi Soreca, kryeprokurorin Olsian Çela dhe drejtuesin e SPAK, Arben Kraja.





