Bashkimi Europian ka reduktuar në masë të madhe transfertat e parave që shkonin në Turqi për afrimin me BE-në.

Kjo mësohet nga një letër e të ngarkuarit të BE-së për politikën e Jashtme, Joseph Borrell drejtuar PE. BE ka vendosur një shkurtim tjetër të ndihmave për Turqinë, ndaj për vitin 2020 janë hequr si ndihma 75% e transfertave të parashikuara, thuhet në një letër të të ngarkuarit të BE për politikën e jashtme, Joseph Borrell, drejtuar Parlamentit Europian.

Sipas të dhënave të Komisionit Europian, Turqia pritet të marrë këtë vit vetëm 186 milionë euro nga programi IPA për afrimin e vendeve aspirante me BE. Komisioni Europian nuk është shprehur deri tani për këto reduktime. Me ndihmat e para të anëtarësimit, BE kërkon të mbështesë e përmirësojë proceset e reformave në vendet kandidate. Negociatat e anëtarësimit me Turqinë prej vitesh kanë ngrirë.

Borrell e argumenton shkurtimin e ri me kërkimet e palejuara për gaz të Turqisë para brigjeve të vendit anëtar të BE, Qipro, me të cilat BE nuk është dakord. Si argument tjetër përmendet operacioni ushtarak i Turqisë në Sirinë verilindore në tetor.

Nga shkurtimet mbeten të paprekura pagesat që BE në kuadër të marrëveshjes me Turqinë ia ofron këtij vendi. Pakti i refugjatëve nga viti 2016 parashikon që migrantët e ardhur ilegallisht në Greqi të kthehen në Turqi.

BE merr përsipër të pranojë refugjatë sirianë nga Turqia dhe e mbështet financiarisht Turqinë në kujdesin ndaj refugjatëve. Megjithatë në Greqi në muajt e fundit është rritur ndjeshëm numri i refugjatëve të ardhur nga Turqia.