Historia e vëllezërve Shemsedi dhe Isa Abazi nga qyteti i Gjilanit, të cilët humbën jetën nga tërmeti i 26 nëntorit, në Durrës, ishte në puntatën e parë të programit “Dua të të bëj të lumtur” në Top Channel.

Në studion e emisionit kishte ardhur xhaxhai i tyre, Ramadan Abazi për të falenderuar publikisht një ndër artistët më të dashur të muzikës shqiptare, këngëtarin Ermal Fejzullahu, pasi ky i fundit kur u njoh me historinë e vëllezërve Abazi dhuroi 100.000 euro për t’i ardhur në ndihmë familjes.

Duke qenë se dhimbja e prindërve për dy vëllezërit Abazi ishte e madhe, si përfaqësues i familjes në vend të tyre kishte ardhur xhaxhai, Ramadani. Ermal Fejzullahu, i prekur nga ky gjest, u shpreh se shqiptarët janë një popull me zemër të madhe dhe këtë e treguan me solidaritetin e tyre në këtë tragjedi.

Vëllezërit ishin me profesion mekanik makinash dhe çdo javë udhëtonin nga Kosova drejt Shqipërisë për të punuar dhe për të siguruar të ardhura për familjen e tyre.

Ata ishin të martuar dhe paratë që fitonin i dërgonin për të ndërtuar shtëpinë në Gjilan. Fatkeqësisht ëndrra e tyre për të ndërtuar një shtëpi të madhe mbeti përgjysmë dhe lanë pas 6 fëmijë të vegjël.