Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca ka reaguar pas takimit të opozitës jashtëparlamentare, asaj parlamentare dhe mazhorancës për Reformën Zgjedhore.
Soreca e konsideron dakordësinë mes palëve si arritje shumë të rëndësishme për kthimin e stabilitetit politik në vend.
“E përshëndesim dakordësinë e ndër-partiake ditën e sotme për të çuar para një reformë elektorale gjithëpërfshirëse në të njëjtën linjë me rekomandimet e OSBE/ODIHR. Është një arritje shumë e rëndësishme për kthimin e stabilitetit politik të Shqipërisë në kontekstin e procesit të integrimit të vendit. Ne besojmë se të gjitha partitë do të vazhdojnë të punojnë sëbashku për të konkluduar në një reformë elektorale, e cila do të miratohet nga parlamenti në përfitim të qytetarëve shqiptarë dhe të ardhmes së tyre europiane”, shkruan Soreca në Twitter.





