Pas takimit me aletatët në selinë blu, kryedemokrait Lulzim Basha bëri me dije se opozita ka mandatuar Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin si dakordësues me mazhorancën për miratimin e Reformës Zgjedhore.

“Prej muajit tetor opozita e bashkuar ka insistuar në një mekanizëm transparent për të përfunduar Reformën Zgjedhore që i paraprin procesit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Prej shtatorit është kusht i patejkalueshëm i Bundestagut. Kanë kaluar 4 muaj dhe ky proces është zvarritur, në mungesë vullneti nga pala tjetër. Sot opozita e bashkuar rikonfirmon qëndrimin për nisjen pa vonesë dhe përfundimin një orë e më parë të reformës zgjedhore dhe mandaton Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili për të dakordësuar miratimin e Reformës Zgjedhore, duke i qëndruar plotësisht  pikave të parashtruara në tetor.

E para krijimi i një mekanizmi gjithëpërfshirës transparent me pjesëmarrjen e forcave politike dhe aksesin e çdo faktori tjetër shoqëror, qytetar dhe të grupeve të interesit.

Së dyti miratimit me konsensus jashtë parlamentit të çdo propozimi për reformën zgjedhore.

Së treti, kalimin e çdo aspekti të miratuar me konsensus pa asnjë ndryshim në seancën plenare dhe me këtë mandat të pandryshueshëm kemi mandatuar dy zotërinjtë që përmendëm për t’u dakordësuar me palën tjetër që shqiptarët të mos humbasin më asnjë minutë për të përfunduar reformën zgjedhore”, tha Basha.