Pas denoncimit tek ish-kryeministri Sali Berisha se në spitalin e Durrësit kanë humbur jetën tre raste me meningokoksemi, njëjtë si efektivi 27-vjeçar, Mariglen Mestani, ka reaguar drejtuesja e këtij institucioni, Nadire Jani.
Në një reagim për “DurrësLajm”, mjekja Jani e quan gënjeshtër denoncimin te Berisha ndërsa thotë që në spitalin e Durrësit ka patur vetëm një rast, të cilit ende nuk i është përcaktuar diagnoza , për të cilin janë në pritje të përgjigjjes nga Tirana.
“Absolutisht që nuk është e vërtetë. Në spitalin e Durrësit ka qenë vetëm një e sëmurë rëndë, që nuk i është përcaktuar diagnoza pasi përcaktimi të paktën me protokoll do 5 ditë, dhe pacientja ka qëndruar në spital nga ora 10 e mëngjesit deri në orën tre të mëngjesit tjetër, pra as 24 orë. Janë çuar të gjitha ekzaminimet për t’u bërë në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë nga ku presim përgjigjet. Jemi në pritje të përgjigjes që të vendoset diagnoza, çfarë diagnoze kishte që pacientja vdiq. Tjetër të sëmurë rëndë ne nuk kemi në spitalin e Durrësit, kjo është gënjeshtër.”
Mesditën e sotme, ish-kryeministri Berisha postoi në profilin e tij në Facebook, një denoncim nga mjekja dixhitale siç e quan ai, ndërsa shkruan se ministrja Manastirliu po mban një qëndrim kriminal ndaj një sëmundje të rëndë me pasoja fatale.
“Qendrim kriminal i ndrikull Manastirliut ndaj nje smundje me pasoja fatale!
Lexoni denoncimin e mjekes dixhitale. sb
Pershendetje Doktor. Une jam mjeke qe punoj aktualisht ne Gjermani. Jam shume e shqetesuar per nje situate qe pondodh ne Shqiperi ditet e fundit. Ka dhe 3 raste te reja ne Durres me meningokoksemi i njejte si rasti i atij policit 27 vjecar qe vdiq para dy ditesh. Askush nuk merr informacion dhe as mjeket nuk pranojne ta japin ate sepse kan urdher nga Ministria nga frika qe po shpallet gjendje te epidemise do duhet tender per vaksinat . Jam shum e indinjuar per kete situate qe eshte e jashtzakonshme dhe askush nuk po flet per te, as mjeket sepse kan frike vendin e pune. Ju lutem beni dicka , kam shum besim te ju pasi jeni dhe i ketij profesioni dhe e kuptoni rendesine e situates. Faleminderit”, shkruhet në postimin e Berishës në Facebook.
G.D.





