Romina Xhakoni Myftiu, 33 vjeçe nënë e një vajze 8-vjeçare ka humbur jetën në mënyrë të mistershme pasi të afërmit e saj thonë se kaloi një gjendje gripale mëngjesin e 8 janarit.

33-vjeçarja, e cila punonte arkëtare në Ndërmarrjen e Ujësjellësit të qytetit, nuk kishte vuajtur më parë nga asnjë sëmundje kronike duke shtuar misterin dhe dhimbjen tek të afërmit e saj për ndarjen e papritur nga jeta. 

Romina luftoi për jetën për gati 36 orë, por në 12 orët e fundit situata e saj shëndetësore është rënduar edhe më shumë duke rënë në kolaps. Ajo ndërroi jetë në orën 04 të mëngjesit të datës 8 janar, pasi veshkat i kishin dalë jashtë funksioni si rezultat i temeperaturës së lartë.

Spitali i Durrësit ka bërë me dije se viktimës i janë marrë mostrat e gjakut dhe janë dërguar në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë për të gjetur shkakun e vdekjes.

Varrimi i të resë është bërë një ditë më parë, ndërsa familjarët e saj janë mbështjellë jo vetëm nga dhimbja e madhe por edhe nga hijet e misterit se çfarë ka ngjarë me të afërmen e tyre e cila ndërroi jetë në mënyrë të menjëhershme, pa mundur dot as ti japin ndihmë të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.

K.H.